Stoltenberg: Aleatët e NATO-s mbështesin ndërprerjen e luftimeve në Gaza
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Stoltenberg dhe kancelari gjerman Olaf Scholz dhanë deklaratë për gazetarët para takimit të tyre në Berlin. Stoltenberg deklaroi se ata do të diskutojnë për situatën në Lindjen e Mesme me Scholz-in dhe reagimin e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit.
“Duhet respektuar ligji ndërkombëtar. Civilët duhet të mbrohen. Aleatët e NATO-s mbështesin një pauzë në armiqësitë për të dërguar ndihma humanitare në Gaza”, tha Stoltenberg.
“Vuajtjet që kemi parë javët e fundit na kujtojnë edhe një herë se nuk duhet të heqim dorë nga përpjekjet për një zgjidhje të përhershme dhe se lufta në Gaza nuk duhet të kthehet në një konflikt të madh rajonal”, tha ai.
Kreu i NATO-s theksoi se Irani dhe Hezbollahu duhet të qëndrojnë jashtë kësaj lufte.