Takimi Fidan-Blinken: Kërkohet armëpushim i menjëhershëm në Gaza
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, gjatë takimit me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken në Ankara, theksoi se është e nevojshme të parandalohet që Izraeli të shënjestrojë civilët dhe të zhvendosë popullatën në Gaza dhe se duhet të shpallet urgjentisht një armëpushim i përgjithshëm, transmeton Anadolu.
Pas takimit nuk pati asnjë deklaratë zyrtare, por, sipas burimeve diplomatike, Fidan ka theksuar para homologut të tij amerikan domosdoshmërinë e parandalimit të Izraelit nga shënjestrimi i civilëve, zhvendosja e njerëzve në Gaza dhe shpallja e një armëpushimi të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës.
Të dyja palët konfirmuan konsensusin e tyre mbi rëndësinë e parandalimit të dëmtimit të civilëve dhe sigurimin e shpërndarjes së vazhdueshme dhe të pandërprerë të ndihmave humanitare, thanë burimet, duke shtuar se “gjatë takimit Fidan-Blinken u theksua edhe nevoja për të punuar së bashku për një zgjidhje me dy shtete”.
Fidan ka theksuar se bombardimi i objektivave dhe infrastrukturës civile në Gaza është i papranueshëm.
Më shumë se 11.600 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 10.022 palestinezë dhe gati 1.600 izraelitë.
Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.
Të dy ministrat diskutuan gjithashtu procesin e zgjerimit të NATO-s në kuadër të anëtarësimit të Suedisë, së bashku me çështjet dypalëshe dhe rajonale, thanë burimet.
Takimi mes Fidanit dhe Blinkenit dhe ai i delegacioneve zgjati dy orë e gjysmë.