Sulmet e djeshme izraelite shkaktuan dëme të mëdha në dy spitale në Gaza

Shpërndaje

Sulmet ajrore izraelite kanë shkaktuar dëme të mëdha në dy spitale në qytetin e Gazës, raporton Anadolu.

“Bombardimi kishte në shënjestër spitalin e vetëm psikiatrik në territorin e Gazës dhe një spital të syve në qytetin e Gazës të dielën”, tha për Anadolu Salama Marouf, zëdhënëse në Zyrën e Qeverisë për Media.

“Okupuesi izraelit godet qëllimisht furrat e bukës dhe të gjitha burimet e ujit dhe energjisë diellore për të lënë në uri popullsinë”, tha ai.

Tensionet u përshkallëzuan në të gjithë territoret palestineze mes sulmeve ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Më shumë se 11.300 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 9.770 palestinezë dhe pothuajse 1.500 izraelitë.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.