Bota

Erdoğan: Ajo që ndodh në Gaza është krim kundër njerëzimit, është krim lufte

Shpërndaje

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se sulmet e Izraelit në Gaza përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe kërkoi që autorët të mbahen përgjegjës para ligjit ndërkombëtar, raporton Anadolu.

Presidenti Erdoğan foli në Samitin Botëror të Veprimit Klimatik të zhvilluar në Expo City Dubai në kuadër të Konferencës së 28-të të Palëve të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP28).

“Humbja e jetëve të mbi 16 mijë civilëve të pafajshëm palestinezë, kryesisht fëmijë dhe gra, si rezultat i sulmeve izraelite, nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë”, theksoi presidenti turk.

“Ajo që ndodh në Gaza është krim kundër njerëzimit, është krim lufte. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit ndërkombëtar”, tha Erdoğan.

Ai tha se Türkiye në të gjitha krizat ka qëndruar pranë paqes dhe ka punuar për një zgjidhje mbi bazën e drejtësisë dhe barazisë.

“Së bashku, ne kemi parë sërish rëndësinë e krijimit të një Shteti Palestinez të pavarur, sovran dhe me integritet territorial, me kryeqytet Kudsin Lindor. Si Türkiye, ne jemi të gatshëm të marrim çdo përgjegjësi për krijimin dhe sigurimin e kësaj. Këtu dua të përsëris moton tonë se ‘Bota është më e madhe se 5’ dhe ‘Një botë më e drejtë është e mundur’”, u shpreh presidenti i Türkiyes.