Montaser Al-Sawaf, kameramani i AA-së në Gaza, vritet nga sulmi ajror izraelit

Shpërndaje

Kameramani i Agjencisë Anadolu (AA) Montaser Al-Sawaf, i cili punonte si reporter i pavarur në Rripin e bllokuar të Gazës, humbi jetën në një sulm ajror izraelit.

Ushtria izraelite po vazhdon të sulmojë gazetarët dhe familjet e tyre, si dhe civilët, në sulmet në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.

Hasan Ismameh, djali i xhaxhait të Sawafit, tha në një deklaratë për Anadolu: “Kameramani Montaser Al-Sawaf, vëllai i tij Marwan dhe disa nga të afërmit e tij ranë dëshmorë në bombardimet izraelite në lagjen Al-Durj në jug të Rripit të Gazës”.

Ai shpjegoi se Montaser u plagos rëndë nga bombardimet dhe se kanë pritur për rreth gjysmë ore ambulancën dhe ekipet mjekësore, por meqë ato nuk kanë mundur të mbërrijnë, ai është transferuar në Spitalin Baptist me një automjet personal. Ismameh tha se mjekët kanë deklaruar se gjendja e Montaserit ishte serioze dhe se kishte humbur shumë gjak dhe nuk mund të ndërhynin për shkak të pamjaftueshmërisë mjekësore.

Ismameh tha se Montaser u varros me vëllain dhe të afërmit e tij në varrezën Al-Batsh në qytet.

Mesazh ngushëllimi nga Drejtori i Përgjithshëm i AA-së

Drejtori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Bordit të Drejtorëve të AA-së, Serdar Karagöz, publikoi një mesazh ngushëllimi pas vdekjes së Montaserit nga sulmi izraelit.

“Që nga fillimi i luftës, kemi humbur 71 kolegë gazetarë nga sulmet e Izraelit në Gaza. Sot, për fat të keq, Montaser Al-Sawaf, një punonjës i agjencisë sonë, humbi jetën në këto sulme. Si Agjenci Anadolu, ne bëjmë përpjekje për sigurinë e jetës së kolegëve tanë që përmbushin detyrat e tyre me shumë përkushtim në kushte shumë të vështira në Gaza. Ne do të vazhdojmë luftën tonë për të siguruar që ata që kryen këto sulme të mbahen përgjegjës përpara ligjit ndërkombëtar, si në emër të Montaser Al-Sawafit, ashtu edhe në emër të të gjithë kolegëve tanë që kanë humbur jetën në sulmet e qeverisë izraelite në Gaza. Zoti e mëshiroftë kolegun tonë dhe të gjithë kolegët që kanë humbur jetën në Gaza dhe u shpreh ngushëllimet e mia të afërmve të tij”, ka thënë Karagöz.

“Sot, bombat e hedhura nga administrata izraelite mbi Palestinën nuk bien vetëm mbi fëmijët palestinezë, spitalet, shkollat, xhamitë dhe kishat; ato bien gjithashtu mbi vlerat perëndimore, ligjin ndërkombëtar, të drejtat e njeriut dhe mbi gjithçka që përfaqëson mirësinë; dhe i shkatërrojnë ato vlera. Një nga humbësit kryesorë në këtë krizë janë këto vlera dhe komuniteti ndërkombëtar që është zhveshur nga këto vlera”, ka shtuar Karagöz.