Kurti: Takimi me kancelarin Scholz, dëshmi e marrëdhënieve të forta
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për vizitën e tij në Berlin dhe takimin me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se takimi me kancelarin Scholz dëshmoi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.
“Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Në vizitën e radhës zyrtare në Berlin, së bashku me ministrin Çeku dhe nënkryetaren e dytë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mrika Limani Myrtaj, pata nderin të marr pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së.
E në margjina të Kongresit, takimi me Kancelarin Scholz dëshmoi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.
Fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat ishte fokus i bisedës dhe me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi si dhe me Kryetarin e SPD-së njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.
Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Nuk mund të mungonte dhe takimi me mërgatën, ku biseduam mbi një mori temash, i interesuar jo vetëm për t’i informuar me ecurinë e aktualitetin e vendit tonë, por edhe për të dëgjuar rreth jetës e përvojës së tyre, përshtypjeve e ideve të diasporës.