Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin për vitin 2024, 3 miliardë e 314 milionë euro!
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë buxhetin për vitin 2024 në vlerë prej 3 miliardë e 314 milionë euro. Ligji mbi ndarjet buxhetore ka kaluar në lexim të dytë me mbështetjen e 63 deputetëve. Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK.
Opozita nuk kishte marrë pjesë as në votimin e parë të këtij Projektligji në muajin nëntor. Sot, në seancën që ka zgjatur më shumë se 8 orë, deputetët kanë shqyrtuar 64 amendamente të këtij Projektligji.Më 16 nëntor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.
Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024 pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro. Ky buxhet është mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e këtij viti.