Mexhiti: Zgjidhja për të punësuarit, të premten
Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti paralajmëroi se të premten do të bëhet i ditur vendimi për fatin e rreth një mijë punonjësve në institucionet shëndetësore që tashmë me vite janë të angazhuar me kontratë në vepër. Gjithashtu, ai paralajmëroi edhe zgjerimin e listës pozitive.
“Kemi harmonizuar numrat por na duhet edhe një takim që përfundimisht të vendosim si më tutje por kjo me të vërtet do të jetë si urim i vitit të ri, deri të premten bëni durim. Gjithashtu, shumë shpejt një numër dyshifror i ilaçeve do të jenë në listën pozitive, shumë shpejt”, deklaroi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë sipas ministrit të Shëndetësisë është identifikuar personi që shihej duke pirë duhan në një institucion shëndetësor në vendin e punës. Fotografitë u shpërndanë në rrjetet sociale. Mexhiti tha se do të ketë kontrolle të rrepta pas Vitit të Ri në të gjitha institucionet shëndetësore për t’u siguruar se të gjithë punonjësit respektojnë vendet e punës.