Miratohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Sali Berishës
Këshilli i Mandateve ka votuar pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për t’i hequr imunitetin ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Të gjashtë anëtarët e komisionit, pesë nga Partia Socialiste dhe një i Partisë Demokratike votuan pro heqjes së imunitetit.
Gjatë diskutimeve, prokurori Arben Kraja, ka mohuar kategorikisht që hetimi dhe kërkesa për arrestimin e deputetit ka pasur motiv politik.
Sipas tij, nuk ka asnjë veprim politik që nga momenti që është regjistruar deri në momentin e sotëm.
Ai siguroi se, nuk do të ketë asnjë ndikim politik deri në zgjidhjen përfundimtare.
“Çdo kërkesë që kemi bërë bazuar në provat që janë mbledhur në dosje, të bindur për atë që kemi kërkuar. Ua kemi paraqitur gjykatës, gjykata na ka dhënë të drejtë deri tani. Mund të mos na japë të drejtë deri në fund, por jemi të hapur”.
Për Krajën, Berisha është shtetas shqiptar dhe si i tillë duhet të jetë i barabartë para ligjit.
Në mbledhjen ku vetë Berisha nuk është i pranishëm – paralelisht po zhvillohej një protestë jashtë ambienteve të Kuvendit – Kraja tha se ekziston një dyshim për kryerjen e veprës penale të korrupsionit nga kryedemokrati, në kohën kur ka qenë kryeministër i vendit.
“Nga hetimet vlerësohet se Berisha në cilësinë si kryeministër në periudhën 2005 e në vijim ka miratuar vendime ku përfitues i drejtpërdrejtë ka qenë edhe bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi”, përcaktoi prokurori.
Ai më tej parashtroi se nga Berisha janë kryer veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura shtetërore. Përfitime të parregullta janë të gjitha përfitimet monetare që ka marrë Jamarbër Malltezi, të llogaritura në shumën 5 milionë euro. Përfitimi mund të jetë jo vetëm për vete, por edhe persona të tjerë.
Ndaj, mbi këto premisa, mbështetur mbi ligjin, SPAK i është drejtuar GJKKO-së, duke kërkuar masën detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore dhe ndalim i daljes jashtë shtetit nga Berisha.
Gjykata ndërkaq, siç bën me dije Kraja, e pranoi kërkesën e prokurorisë.
“Gjykata e Apelit vendosi ndër të tjera miratimin e vendimit të Gjykatës së shkallës së parë. Referuar procesverbalet e mbajtura nga oficeri i policisë gjyqësore, rezulton se Berisha nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës për t’u paraqitur dy herë në muaj”.
Në këto kushte, SPAK kërkoi dhënien e autorizimit për arrestimin e Berishës si deputet, duke zëvendësuar masën e detyrimit për tu paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore në arrest me burg/ arrest shtëpie.
Vetë Berisha, pak minuta përpara fillimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ka shpallur atë të cilin e ka etiketuar si fillimin e “betejës pa kthim” në rrugët e Tiranës.
“Ky është fillimi i betejës pa kthim në rrugët e Tiranës, në sheshet e saj, në skajet e vendit”, përshkroi Berisha gjatë një konference për media.
Ai shtoi më tej se Partia Demokratike, është e vendosur t’i përgjigjet dhëmbë për dhëmbë sundimit të kryeministrit Edi Rama, i cili është sipas tij i bazuar në “krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve”.
“Sot çdo demokrat dhe demokrate i vërtetë ndihet një luftëtare dhe luftëtar i lirisë, i betuar për shembjen e regjimit, i cili vjedh ata sa kurrë ndonjëherë në historinë e tyre”, përshkroi ai.
Përtej kësaj, Berisha bëri me dije se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku diskutohet çështja.
Ndërsa, Policia e Shtetit, pati angazhuar 700 efektivë, duke rrethuar së jashtmi Kryesinë e Kuvendit, për të minimizuar incidentet që mund të ngjajnë gjatë tubimit.