Bota

Në sulmet e Izraelit gjatë natës në Gaza vriten dhe plagosen shumë palestinezë

Shpërndaje

Shumë palestinezë janë vrarë dhe janë plagosur në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë gjatë natës nga ajri, toka dhe deti ndaj Rripit të Gazës nën bllokadë, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, 9 persona shumica gra dhe fëmijë humbën jetën në sulmin ku ushtria izraelite vendosi në objektiv një shtëpi e cila ndodhet në kampin e refugjatëve Al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Po ashtu të paktën 9 civilë humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën si pasojë e shënjestrimit nga ushtria izraelite të një shtëpie që i përkiste familjes Azzum në qytetin Rafah në Rripin e Gazës.

Personat që humbën jetën ishin nga shtëpia ngjitur me zonën e shënjestruar dhe banorët e shtëpisë së shembur ndodhen ende nën rrënoja.

Për shkak të pamundësisë së ekipeve të Mbrojtjes Civile dhe shënjestrimit të tyre, shumë njerëz që mbesin nën rrënoja po shpëtohen me burime primitive dhe shumë të kufizuara.

Ndërkohë njoftohet se shumë persona kanë humbur jetën dhe janë plagosur në sulmet që njësitë e artilerisë izraelite kanë kryer në zonat e banuara që ndodhen në Deri Al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Të vrarë dhe të plagosur ka edhe nga sulmet e kryera ndaj kampit të refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore dhe në lagjen Al-Durj në jug të qytetit. Gjithashtu forcat izraelite lëshuan fishekë ndriçimi në qytetin Khan Younis dhe kryen sulme ndaj shtëpive që ndodhen në rajon.