Trump fiton çështjen në Gjykatën Supreme të Miçiganit për pjesëmarrje në zgjedhje

Shpërndaje

Donald Trump ka shënuar një fitore në luftën e tij kundër sfidave për të drejtën e tij për të garuar për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, pasi më 27 dhjetor Gjykata e Lartë e Miçiganit refuzoi të trajtonte çështjen për diskualifikimin e tij nga zgjedhjet e brendshme presidenciale në këtë shtet.

Gjykata Supreme e Miçiganit tha se nuk do ta dëgjojë apelin nga katër votues të këtij shteti që kërkonin që ish-presidenti të mos lejohej të garonte në zgjedhjet partiake republikane të 27 shkurtit për shkak të rolit të tij në trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan.

Votuesit argumentuan se Trump, që konsiderohet kandidati kryesor për të fituar kandidaturën e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, nuk mund të shërbejë si president në bazë të një neni të Kushtetutës amerikane që ndalon personat që të shërbejnë në një zyrë federale nëse ata përfshihen në “rebelim apo kryengritje” pasi bëjnë betimin për t’i shërbyer SHBA-së.

“Ne nuk jemi të bindur që pyetjet e paraqitura të shqyrtohen nga kjo Gjykatë”, tha ky institucion i drejtësisë.

Trump, përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, tha se gjykata “në mënyrë të drejtë dhe të fuqishme refuzoi” atë që ai e quajti “përpjekje të dëshpëruar të demokratëve” për ta larguar emrin e tij nga fletëvotimet në Miçigan.

Avokati i votuesve që paraqitën këtë çështje para gjykatës nuk komentoi për vendimin.

Vendimi i gjykatës në Miçigan është i ndryshëm nga vendimi i gjykatës kryesore në Kolorado, e cila javën e kaluar e diskualifikojë Trumpin, duke u bazuar në po të njëjtin pikë të Kushtetutës, që njihet si pika 3 e amendamentit të 14-të.

Trump është zotuar se do të apelojë vendimin e Kolorados në Gjykatën Supreme./REL