Bota

Zelenskyy: Rusia ka lëshuar 110 raketa ndaj Ukrainës

Shpërndaje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia mëngjesin e sotëm ka lëshuar 110 raketa ndaj Ukrainës, transmeton Anadolu.

Në një postim nga llogaria e medias sociale, Zelenskyy theksoi se ushtria ruse shënjestroi maternitetin, ndërtesën arsimore, qendrën tregtare, apartamentet, shtëpitë, magazinat komerciale dhe parkingjet.

“Kiev, Lviv, Odesa, Dnipro, Kharkiv, Zaporizhzhia dhe qytetet tona të tjera. Sot Rusia po godet pothuajse çdo gjë me arsenalin e saj me raketat Kinjal, raketat S-300, raketa lundrimi, mjete ajrore pa pilot. Avionët bombardues strategjik lëshuan raketa të llojit X-101/X-505. Janë lëshuar rreth 110 raketa, shumica e tyre u rrëzuan”, tha presidenti ukrainas.

Zelenskyy tha se si pasojë e sulmeve ka të vdekur dhe të plagosur ndërsa shprehu ngushëllime për familjet dhe të afërmit e atyre që kanë humbur jetën dhe ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit.

“Ne do t’u përgjigjemi patjetër sulmeve të terroristëve. Do të luftojmë për të garantuar sigurinë e vendit tonë, të çdo qyteti dhe të gjithë popullit tonë. Terrorizmi rus duhet të humbasë dhe pikërisht kjo do të ndodhë”, tha ai.