RajoniTop Lajme

Berisha kërkon leje nga SPAK për të marrë pjesë në Parlament

Shpërndaje

SPAK ka vendosur të marrë në pyetje Berishën ditën e enjte në orën 10:00 tek prokurorët Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, duhet të dëshmojë të mërkurën në të njëjtën orë dhe përpara të njëjtëve prokurorë për çështjen e klubit “Partizani”.

Pasi kanë marrë njoftimin e SPAK, avokatët e zotit Berisha dhe zotit Malltezi kërkojnë shtyrjen e seancës së marrjes në pyetje, me argumentin se e kanë të pamundur pjesëmarrjen në të dyja seancat e pyetjeve për shkaqe objektive pune dhe familjare. Ndaj duke konsideruar se kjo pjesëmarrje është e domosdoshme avokatët i janë drejtuar SPAK me kërkesën për t’i marrë në pyetje klientët e tyre në një nga ditët e javës që vjen, kur prokurorët do ta çmojnë të përshtatshme.

Një tjetër zhvillim në këtë proces është dhe kërkesa e Sali Berishës, që të lejohet të marrë pjesë në seancat e parlamentit. Avokatët e tij i janë drejtuar me një kërkesë prokurorëve të SPAK duke theksuar se kjo është një e drejtë kushtetutes. Një tjetër argument që shoqëron këtë kërkesë është fakti se ndaj Sali Berishës nuk ka një vendim të formës së prerë.

“Në kushtet kur Sali Berisha është deputet i Kuvendit, i zgjedhur nga sovrani, është e domosdoshme që të ushtrojë funksionet e tij si Deputet i Kuvendit. Për këtë arsye duke qënë se ju jeni organ procedues, kërkojmë nga ana juaj miratimin dhe dhënien e lejes që z. Berisha në mënyrën dhe kohën që është aboslutisht e domosdoshme të shkojë, të marrë pjesë dhe të ushtrojë funksionet e tij në seancat plenare të Kuvendit në përmbushje të të drejtave lirive politike të parashikuara nga Kushtetuta e vendit, por edhe të përmbushë detyrimet e veta kundrejt elektoratit që e ka zgjedhur.”

Kërkesa mban datën 15 janar ndërsa do të shqyrtohet nga prokurorët Arben Kraja e Enkeleida Millonai. Për shkak të refuzimit të masës detyrim paraqitje, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit, çka u pranua nga Parlamenti. Pas disa seance shtyrjeje, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi më 30 dhjetor, masën arrest shtëpie për Sali Berishën.