RajoniTop Lajme

Dhoma e Deputetëve në Itali miraton marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët

Shpërndaje

Dhoma e Deputetëve në Itali ka aprovuar këtë të mërkurë ratifikimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët. Marrëveshja, sipas mediave fqinje, kaloi me 155 vota pro të mazhorancës. 115 ishin votat kundër, ndërsa 2 abstenim. Tashmë kjo marrëveshje pritet që t’i kalojë Senatit Italian për votim.

Marrëveshja e cila u firmos na dy kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Italisë, Gerogia Meloni, në nëntor të vitit që lamë pas, parashikon ndërtimin e dy qendrave për emigrantët në vendin tonë.

Opozita italiane kishte propozuar pezullimin e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, pasi sipas saj, duhej pritur opinioni i Gjykatës Kushtetuese shqiptare.

Për deputetët e opozitës italiane kjo marrëveshje shkel të drejtat e njeriut dhe nene të shumta bien ndesh me Kushtetutën italiane. Ata kritikuan edhe kostot e saj, që do të paguhen nga qeveria italiane.

Ndërkohë në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese e pezulloi ratifikimin në Kuvend pas kërkesës së paraqitur nga 30 deputetë të opozitës për shpalljen antikushtetuese të marrëveshjes së emigrantëve me Italinë. Çështja në fjalë, sipas njoftimit të vetë kësaj gjykate, shqyrtohet këtë të mërkurë.

Plani i të dy qeverive ishte që në muajin Qershor të ishte gati infrastruktura në Shëngjin e Gjadër në mënyrë që të niste mbërritja e refugjatëve./tvklan.al/