​Rrëzimi i kulmit të komunës, caktohet masa e sigurisë për zyrtarin e komunës dhe atë të kompanisë

Shpërndaje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur sot masën e sigurisë ndaj dy personave në lidhje me rrëzimin e kulmit të objektit të komunës në Arbëri të Prishtinës, nga e cila mbeti një qytetare e lënduar.

Zyrtari komunal Ylber Jashari, sipas këtij vendimi, nuk do të mund t’i afrohet vendit apo personit të caktuar, për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga data 22.01.2024 deri më 21.02.2024 dhe në rast të mosrespektimit, të njëjtit do t’i zëvendësohet kjo masë me paraburgim.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ashtu që të pandehurit të dytë Bekim Baftjaraj i caktohet masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje një muaj.

Masa e arrestit shtëpiak të pandehurit B.B, i llogaritet nga data e ndalimit 22 janar 2024 deri më 21 shkurt 2024.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet në komunikatë.