“Kundër mafias urbane”, Besar Durmishi: Këshilli i Tetovës shfuqizoi planin – prona do t’i rikthehet spitalit!
Ditë më parë drejtori i Spitalit të Tetovës, Ilir Demiri ka denoncuar uzurpimin e një pjese të pronës tek Spitali i Tetovës, nga siç tha ai, mafia urbane, përcjell KlanM.
Ka reaguar menjëherë Këshilli i Komunës së Tetovës, duke shfuqizuar planin e vjetër ubranistik për atë pjesë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i Këshillit, Besar Durmishi. Sipas tij, drejtuesit lokal janë të përkushtuar për një qytet të denjë për të jetuar dhe kundër mafias urbane në Tetovë. Me këtë vendim të këshillit, sipas Durmishit, prona e uzurpuar do t’i kthehet Spitalit të Tetovës.
“Pas shqetësimeve të ngritura nga drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, për pronën e uzurpuar nga mafia urbane, sot me vendim të këshillit komunal shfuqizuam pjesën e planit të vjetër urbanistik i cili ishte në kundërshtim me planin gjeneral urbanistik. Plani i ri do të hartohet me përfshirjen e qytetarëve dhe në kundërshtim me mafien urbane, për t’a kthyer atë pronë tek spitali i Tetovës, e assesi tek interesi privat”, ka shkruar kreu i Këshillit të Tetovës, Besar Durmishi.