Nënshkruhet marrëveshja për bashkëfinancim të tunelit për rrugën Prizren-Tetovë

Shpërndaje

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se kjo rrugë e rëndësishme nuk e lidhë vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe korridorin 8 me autostradën “Ibrahim Rugova” që e lidh Prishtinën me Durrësin e Tiranën duke krijuar mundësi të kyçjeve nëpër korridore dhe më gjerë në nivel të rajonit.

Ndërsa zv. ministri i Transportit dhe Lidhjeve nga Maqedonia e Veriut, Bekim Rexhepi, kujtoi se kësaj marrëveshje i kanë paraprirë një sërë takimesh të grupeve të punës nga të dyja vendet duke mbërri kështu në zgjidhjen më optimale për projektin e ndërtimit të tunelit 6.4 km të gjatë.

Njoftimi i plotë:
NJË TJETËR HAP I RËNDËSISHËM PËRPARA për rrugën Prizren-Tetovë
Sot në Shkup, nënshkruam marrëveshjen për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë.

Financimi i këtij projekti, përfshirë ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa projektimi i secilës pjesë para dhe pas tunelit do të jetë i financuar nga palët përkatëse.

Kjo rrugë krijon një lidhje të sigurt dhe të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëz dhe mallra, duke forcuar edhe ndërlidhjen midis parqeve kombëtare, destinacioneve turistike dhe korridoreve rrugore në mes Republikës tonë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, si lidhje e dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i ofron dy qytetet dhe dy shtetet tona, gjithashtu mundëson krijimin e një korridori rrugor të ri me ndikim në skenën rajonale të Ballkanit, duke i lidhur jo vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe Prishtinën me Durrësin dhe Tiranën, përmes autostradës “Ibrahim Rugova”.

Falënderoj Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, nga Maqedonia e Veriut, Blagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministrat Bekim Rexhepi dhe Hysen Durmishi, si dhe të gjithë ekspertët e ndryshëm, për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre të pamohueshëm në arritjen e marrëveshjes së bashkëfinancimit.

Kontributi i gjithsecilit është jetësor për zhvillimin dhe suksesin e këtij projekti, i cili ka ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik e infrastrukturor të vendeve tona si dhe integrimin rajonal.