Kurti: Populli i Kosovës dhe Republika e Kosovës nuk i falin krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, as në Reçak dhe askund tjetër

Shpërndaje

Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak në kuadër të shënimit të 25-vjeorit të Masakrës së Reçakut, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime u mbajt edhe ceremonia përkujtimore ku morën pjesë tre krerët e shtetit, ambasadori William Walker, Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu e shumë përfaqësues të tjerë diplomatikë e të institucioneve vendore.

“Në kronologjinë e historisë së masakrave të kryera nga Serbia me forcat e saj ushtarake, policore dhe paraushtarake mbi shqiptarët në vendin tonë, masakra e Reçakut është më e hershmja në kalendarin e vitit 1999. Atë vit, në një datë sikur e sotmja, pra më 15 janar, këtu në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore të Serbisë i vranë 45 civilë shqiptarë, mes të cilëve më i riu ishte Halim Beqiri 14-vjeçar, kurse më i moshuari Avdyl Sejdiu 99-vjeçar. Moshat e tyre si mosha kufitare mes të vrarëve të kësaj masakre, tregojnë për viktimat dhe natyrën e këtij krimi të kryer gjatë luftës” tha në fillim të fjalës së tij kryeministri Kurti në ceremoninë përkujtimore.

Ndonëse 25 vite më parë Serbia e aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për ta fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryerësit dhe urdhërdhënësit, kjo masakër ka patur e ka lënë pas dëshmi dhe dëshmitarë, që dëshmojnë gjithë të vërtetën nga fillimi deri në fund: nga e shtëna e parë deri te përpjekja për fshehjen dhe justifikimin e krimit, nga trupi i Banush Kamerit me kokën e prerë dhe deri te kufomat e masakruara e të gjymtuara në Kodrën e Bebushit.

Në radhë të dëshmitarëve ai përmendi banorët e mbijetuar të Reçakut dhe fshatrave të tjera të Shtimes, ushtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Nerodimes, Misionin Verifikues në Kosovë të OSBE-së dhe Kryesuesin e këtij misioni William Walker që e cilësoi këtë masakër “krim kundër njerëzimit”, gazetarë dhe fotoreporterë vendorë e ndërkombëtarë, ekipin finlandez të forensikës që u bënë autopsitë e 45 kufomave, doktorin Vezir Bajrami i cili ishte mjek në luftë e ushtarin e UÇK-së, Arlind Guraziu, që jetoi i traumatizuar nga pamjet e kufomave derisa vdiq më 2014.

Ai tha se populli i Kosovës dhe Republika e Kosovës nuk i falin krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, as në Reçak, dhe askund tjetër. Duke rikujtuar se një vit më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës pati lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 të dyshuar serbë, që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e Masakrës së Reçakut, ai theksoi se këto krime nuk vjetrohen asnjëherë, siç nuk mund të fshihen nga historia e shtetit të Serbisë që i kreu këto krime dhe nga historia e Kosovës dhe e popullit të saj që i përjetoi me aq shumë dhimbje dhe i trashëgoi me kaq shumë humbje e vuajtje.

Së fundmi më 12 janar 2024, kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Grupit Punues për Hartimin e Detyrës Projektuese të Projektit për Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut” në Reçak të Shtimes, për ta përforcuar dhe monumentalizuar kujtesën dhe trashëgiminë për masakrën e Reçakut. Anëtarët e këtij grupi punues nga pozita të ndryshme institucionale, do ta kenë për detyrë të hartojnë një detyrë projektuese për projektin për Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut”, ashtu që në Reçak të ketë një kompleks të dinjitetshëm për kujtimin e Masakrës,

“I përjetshëm në kohë të kohëve qoftë kujtimi për të vrarët në Masakrën e Reçakut!”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti në ceremoninë përkujtimore në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
I nderuari e shumë i dashuri ambasador William Walker,
Të dashur familjarë të të vrarëve në masakrën e Reçakut,
I nderuari Ramë, i mbijetuari i Masakrës së Reçakut,
E nderuara zëvendëskryeministre, znj. Donika Gërvalla Schwarz,
Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar, zëvendësministra,
Deputetë të Kuvendit të Republikës, përfaqësues e drejtues të institucioneve të Kosovës, kryetarë të komunave,
I nderuari kryetar i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të vendeve partnere e mike në Republikën tonë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Sivjet më 2024, në mes të këtij viti në të cilin sapo kemi hyrë, do të bëhet një çerekshekull nga fundi i luftës së viteve 1998-99, kur edhe do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Që kur Kosova u pushtua nga Serbia më 1912, vendi dhe populli i saj është mbajtur pa vullnetin e tyre nën Serbi, deri në qershor të vitit 1999 kur u çlirua. Andaj si viti i 25-të i pasluftës, viti 2024, përkatësisht gjysma e parë e këtij viti, do të jetë e shënuar me përvjetorë të masakrave të kryera nga Serbia mbi shqiptarët në Kosovë si dhe me përkujtime të dëshmorëve të lirisë dhe të betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në kronologjinë e historisë së masakrave të kryera nga Serbia me forcat e saj ushtarake, policore dhe paraushtarake mbi shqiptarët në vendin tonë, masakra e Reçakut është më e hershmja në kalendarin e vitit 1999. Atë vit, në një datë sikur e sotmja, pra më 15 janar, këtu në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore të Serbisë i vranë 45 civilë shqiptarë, mes të cilëve më i riu ishte Halim Beqiri 14 vjeçar, kurse më i moshuari Avdyl Sejdiu 99 vjeçar. Moshat e tyre si mosha kufitare mes të vrarëve të kësaj masakre, tregojnë për viktimat dhe natyrën e këtij krimi të kryer gjatë luftës.

25 vite më parë Serbia e aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror nga ushtria te mjekësia ligjore dhe nga mediat te propaganda shtetërore, për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për ta fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryerësit dhe urdhërdhënësit. Dhe dihet se kush ishte atëherë Ministër i Informacionit në Qeverinë e Serbisë: Aleksandër Vuçiq. Atëherë nga pozita e Ministrit të Informacionit kurse sot nga ajo e Presidentit të Serbisë, ky njeri e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit, të kryer nga shteti i Serbisë.

Por masakra e Reçakut ka patur dhe ka lënë pas dëshmi dhe dëshmitarë, që dëshmojnë gjithë të vërtetën nga fillimi e deri në fund: nga e shtëna e parë deri te përpjekja për fshehjen dhe justifikimin e krimit, nga trupi i Banush Kamerit me kokën e prerë dhe deri te kufomat e masakruara e të gjymtuara në Kodrën e Bebushit.

Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga banorët e Reçakut dhe fshatrave të tjera të Shtimes që u shpëtuan të gjallë, teksa i panë me sytë e tyre krimet mbi familjarët dhe fqinjët e tyre.

Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga ushtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Nerodimes që edhe me jetën e tyre e mbrojtën popullsinë civile dhe kufomat e të vrarëve, nga 15 janari kur u vranë e deri më 11 shkurt kur u varrosën.

Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga Misioni Verifikues në Kosovë i OSBE-së atëbotë dhe nga Kryesuesi i këtij misioni ambasadori William Walker, që atë kohë deklaroi se ajo çfarë kishte pare ai në Reçak ishte “krim kundër njerëzimit”.

Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga shumë fotografi dhe video të realizuara nga gazetarë dhe fotoreporterë vendorë dhe ndërkombëtarë, sikur: Alban Bujari, Hazir Reka, Visar Kryeziu, Elida Ramadani, Sylejman Kllokoqi, Shaban Buza, Jeffrey Smith, Tom Walker, Melissa Eddy, Philippa Fletcher, Paul Watson e të tjerë.

Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga ekipi finlandez i forensikës që u bëri autopsinë 45 kufomave, përkatësisht nga raporti i këtij ekipi dhe nga kryesuesja e tij, doktoresha Helena Ranta, që dëshmoi në procesin kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga familjarët e të vrarëve, banorët e Reçakut që e panë dhe e përjetuan gjithë atë tragjedi, disa prej të cilëve kanë dëshmuar për këtë edhe në Gjykatën e Hagës gjithashtu.

Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga doktori Vezir Bajrami, mjek në luftë, i ndjerë nga viti 2006.

Masakra e Reçakut është e dëshmuar nga ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arlind Guraziu, që jetoi i traumatizuar nga pamjet e kufomave derisa vdiq në vitin 2014.

Masakra e Reçakut është dëshmuar nga të gjitha këto burime dhe njerëz, disa prej të cilëve janë edhe sot këtu në Reçak.

Masakra e Reçakut është e dëshmuar si krim kundër njerëzimit para botës dhe para historisë.

Për ta përforcuar dhe monumentalizuar kujtesën dhe trashëgiminë për masakrën e Reçakut, më 12 janar sivjet, pra 2024, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Grupit Punues për Hartimin e Detyrës Projektuese të Projektit për Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut” në Reçak të Shtimes. Të 11 anëtarët e këtij grupi punues nga pozita të ndryshme institucionale, do ta kenë për detyrë të hartojnë një detyrë projektuese për projektin për Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut”, ashtu që në Reçak të ketë një kompleks të dinjitetshëm për kujtimin e Masakrës.

Të nderuar të pranishëm,

Periudha kohore nga lufta e Kosovës deri sivjet, po shtrihet e po bëhet 25 vite, apo një çerekshekull. Kjo është një periudhë që e plotëson distancën kohore të parë si të nevojshme për pikëpamje më të qarta dhe për reflektime më të thella mbi historinë e luftës në Kosovë. Ne duhet ta dimë nga konteksti me të gjitha rrethanat dhe deri në detajet më të vogla, gjithë çfarë ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, për çdo ditë: nga shkurti i vitit 1998 dhe akoma më herët nga viti 1997 si prelud i luftës deri në qershor të vitit 1999 kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë, e forcat e Serbisë ikën nga Kosova.

Populli i Kosovës dhe Republika e Kosovës nuk i falin krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, as në Reçak dhe askund tjetër. Një vit më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës pati lëshuar fletëarreste ndërkombëtare për 18 të dyshuar serbë, që dyshohen për pjesëmarrje në kryerjen e Masakrës së Reçakut. Krimet e kryera gjatë luftës nuk vjetrohen asnjëherë, siç nuk mund të fshihen nga historia e shtetit të Serbisë që i kreu këto krime dhe nga historia e Kosovës dhe e popullit të saj që i përjetoi me aq shumë dhimbje dhe i trashëgoi me kaq shumë humbje e vuajtje.

I përjetshëm në kohë të kohëve qoftë kujtimi për të vrarët në Masakrën e Reçakut!

Ju faleminderit!

Lajmi i plote: Kryeministri Kurti në ceremoninë përkujtimore të Masakrës së Reçakut: Populli i Kosovës dhe Republika e Kosovës nuk i falin krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës, as në Reçak dhe askund tjetërc