MaqedoniTop Lajme

Kyeministri i RMV-së, Xhaferi u takua me ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës

Shpërndaje

Xhaferi – Reka: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe mundësia shumë reale për anëtarësim në BE deri në vitin 2030, nuk duhet humbur

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, u takua sot me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në vend, SH.T. Fatos Reka. Në takim u përcollën urimet nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për zgjedhjen e Kryeministrit Xhaferi në postin e Kryetarit të Qeverisë, si edhe për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Janë theksuar marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si një shembull domethënës i marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon, të cilat janë një kontribut serioz për stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe njëherazi edhe të kontinentit evropian.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, siç u konstatua, zhvillohen me sukses në rrugën evropiane dhe meritojnë anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian në një proces dinamik deri në vitin 2030. Kjo, siç u vlerësua, është me rëndësi për qytetarët e të dy vendeve, por edhe për stabilitetin evropian, për shkak të kontekstit aktual gjeopolitik dhe prandaj mundësia shumë reale e deritanishme e integrimit evropian për të dyja vendet nuk duhet humbur.

Në këtë drejtim, Kryeministri Xhaferi theksoi se Qeveria e re kalimtare, e cila bazohet në koalicionin pro-evropian, vazhdon të punojë në përputhje me kursin e politikës pro-evropiane, qëllimi i së cilës është cilësia e jetës së qytetarëve me standarde evropiane. Para së gjithash, Kryeministri Xhaferi posaçërisht theksoi fokusin e Qeverisë në organizimin e zgjedhjeve të qeta, korrekte dhe demokratike, si edhe në disa ciklet e mëparshme zgjedhore.

Në pjesën e zhvillimit të bashkëpunimit, Kryeministri Xhaferi dhe ambasadori Reka u pajtuan se ekziston një vendosmëri e përbashkët për forcimin e integrimit ekonomik rajonal, siç dëshmojnë protokollet tashmë të nënshkruara për zbatimin e kushteve për qasje të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, si edhe për lidhjen e ndërsjellë të skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. U diskutua edhe për përkushtimin për lidhjen infrastrukturore përmes korridoreve 8 dhe 10, që sjell përfitime ekonomike për të dy vendet.

Takimi Xhaferi – Qehaja: Maqedonia e Veriut dhe Kosova punojnë për thellimin e politikës ekonomike dhe të fqinjësisë së mirë

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, zhvilloi takim me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, SH.T. Florian Qehaja.

Në takim, u theksua se të dy vendet kanë marrëdhënie dypalëshe pozitive dhe konstruktive, dialog të hapur, bashkëpunim ndërparlamentar, si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh.

Bashkëbiseduesit theksuan se do të vazhdojë përkushtimi i të dyja vendeve për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në radhë të parë në avancimin e shkëmbimit të tregtisë, bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe ekonomisë.