Varroset në Prizren Elizabetë Poniku, zvicerania që dha krejt pasurinë për UÇK-në
Në varrezat e fshatit Lubiçevë të Prizrenit dje i është dhënë lamtumira e fundit zviceranes Elizabetë Poniku. Kjo e fundit dha gjithçka nga pasuria e saj në Zvicër, për të siguruar armatim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gjatë kohës së luftës. Pavarësisht kontributit të madh për UÇK-në, në varrimin e saj nuk u panë zyrtarë nga Komuna e Prizrenit e as nga OVL e UÇK-së në këtë qytet.
Lindi në Gansingen të Kantonit të Argaus. Por, zviceranes, lamtumira e fundit iu dha në Lubiçevë të Prizrenit. Në këtë formë, me rite fetare islame, të mërkurën u varros, Elizabetë Poniku.
Por, kush ishte zvicerania e UÇK-së?
E bija e një legjionari e ushtaraku, Elizabeta në vitet e ’90-ta në Zvicër u martua me Ahmet Ponikun nga Prizreni.
Të dy, burrë e grua, ranë në kontakt me gjeneral Jashar Salihun në Zvicër.
Në këtë formë, Elizabeta u emërua edhe pjesë e logjistikës së Shtabit të UÇK-së në Zvicër.
E në ditën kur i dha lamtumirën e fundit bashkëshortes, Ahmeti Poniku i kujton ditët e para të njoftimit më të.
“Ishte pak interesant. Kishte një butik atje, tekstil dhe unë punoja aty. Herë në të zezën herë në të bardhën, si të gjithë shqiptarët dhe u njoftuam. Më la shumë përshtypje sinqeriteti i saj, shpirti luftarak, drejtësia dhe në fund doli që kishte pasur njohuri për shqiptarët, ilirët”, thotë Ahmet Poniku, bashkëshorti i Elizabetës.
Por, në çfarë forme arriti Elizabeta ta ndihmonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?
“Startoi me ndihma financiare. Pastaj plasën aksionet e para guerile. Ishte në ngjarje dhe i interesonte sigurimi i armatimeve, sidomos i armëve adekuate për luftën guerile… Elizabeta kurrë nuk ka marrë para nga fondet, por gjitha këto i ka bërë nga kontributi i vet, ose thënë ndryshe, nga xhepi i saj”, tregon Ahmet Poniku, për tëvë1.
Poniku e ka treguar edhe amanetin e fundit të Elizabetës.
“Ishte dëshira e fundit që të prehet këtu në jetën e amshueshme”.
E ish-eprori i UÇK-së, Liman Kryeziu, kujton kohën kur armatimi që Elizabeta e siguronte në Zvicër, arrinte në duart e ushtarëve të lirisë në Kosovë.
“Ajo ka qenë në diasporë. Atje i ka pasur udhëheqësit e saj, që kanë dhënë një kontribut të madh, si nga ana e organizimit luftarak , po ashtu edhe nga ana e armatimit. Kështu që ne jemi furnizuar me armatim prej saj”, thotë Kryeziu
Nga Zvicra për varrimin e Elizabetës, erdhi edhe Milaim Tasholli.
Ky thotë se e ndjera, kishte dashuri të madhe për shqiptarët.
“Sot kam ardhur nga Zvicra në shenjë respekti për varrimin e motës, apo bashkëshortes së shokut tim, Ahmetit. Ishalla atë Allahu e mëshiron”, thotë Tasholli.
Për aktivitetin e saj, Elizabetë Poniku, së bashku me Murat Jasharin dhe disa veprimtarë të tjerë u burgosën me padi të prokurores zvicerane, Karla Del Ponte.
E pavarësisht se Elizabeta dha gjithçka nga pasuria e saj për UÇK-në, në varrimin e saj nuk u panë nga Organizata e Veteranëve të Luftës në Prizren.
Madje këtu, prezent nuk ishin as zyrtarë nga Komuna e Prizrenit e as ata të nivelit qendror. /tëvë1/