Komuna e Tetovës: Qeveria LSDM – BDI para zgjedhjeve po i partizon edhe më shumë institucionet

Shpërndaje

“Partizimi i të gjitha institucioneve nga Qeveria e LSDM – BDI po bëhet edhe më i fortë në prag të zgjedhjeve, dhe pushteti po tenton ta keqpërdor Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë për qëllime politike”. Kështu akuzoi Komuna e Tetovës qeverinë BDI-LSDM.

Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës Besar Durmishi, sot në konferencë për shtyp tha se MPB dhe ministri Oliver Spasovski, po përpiqet të jetë partiake në çdo nivel.

Reagimi i plotë:
Partizimi i të gjitha institucioneve nga Qeveria LSDM – BDI po forcohet edhe më tepër në prag të zgjedhjeve. Së fundi, qeveria po tenton që Sektori për Punë të Brendshme-Tetovë ta keqpërdor për qëllime politike. Edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila e ka për qëllim të garantojë sigurinë e qytetarëve, nga ministri aktual Oliver Spasovski po tenton të partizohet në çdo nivel të saj. Kjo shihet në zgjedhjen e komandantit të Sektorit të Punëve të Brendshme në rajonin e Tetovës.

Sa për sqarim, sipas Ligjit përkatës, për zgjedhje të kryeshefit, Ministri i propozon Këshillit të komunës tre emra dhe zgjedhja bëhet me votat e shumicës së këshilltarëve. Në tre emrat e parë që i propozoi Ministri, këshilltarët e Këshillit komunal të Tetovës, nuk i dhanë mbështetje asnjërit. Sipas ligjit, ministri obligohet të propozojë tre emra të rinj. Por në propozimet e reja, ministri ka bërë shkelje të rëndë të ligjit, pasi ka propozuar dy emra të rinj dhe përsëri e ka ri propozuar njërin nga emrat e parë, i cili, siç po duket është person i afërt i ministrit ose i partnerëve BDI- LSDM, të cilët po tentojnë ta bëjnë policinë e shtetit, si polici familjare ose private. Kuptohet se pas kësaj shkelje ligjore të ministrit, vështirë se Këshilltarët do i japin mbështetje një personi partiak. Pasi policia duhet të qëndroj larg ngjyrimeve partiake dhe në asnjë moment të mos bëhet mashë për keqpërdorime të caktuara. Por e gjithë kjo bëhet me qëllim nga dyshja LSDM- BDI, që edhe herën e dytë të dështojë zgjedhja e komandatit të Sektorit për Punë të Brendshme -Tetovë, që pastaj për këtë të vendos vet Qeveria.

Këto lojëra janë të njohura për opinionin, pasi në secilin ngërç që ata kanë, BDI dhe LSDM, keqpërdorin institucionet shtetërore, duke i llogaritur si prona private e duke vepruar si në bahçe shtëpiake. Për të arritur deri te qëllimi i caktuar të cilin ata e kanë, po shkelin rëndë ligjet e shtetit. Por, shihet se kjo nuk ju pengon aspak, pasi në vazhdimësi po dalin skandale dhe mega-skandale të cilat i kanë bërë ndër vite dhe po vazhdojnë t’i bëjnë. E kuptojmë se ju duhet Policia për të bërë kaos në zgjedhje dhe për të shantazhuar qytetarët për qëllime politike, por kjo nuk do të lejohet!

Si Këshill Komunal dhe si Komunë do të bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme që të vendoset në shprehje vullneti i qytetarëve të Tetovës, e jo vullneti i LSDM-së dhe BDI-së për të ushtruar forcë ndaj qytetarëve!
JU FALEMNDERIT!