Bota

Biden me dyshime për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës deri të hënën

Shpërndaje

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka hedhur dyshime për afatin kohor të tij fillestar pasi mendonte se deri të hënën mund të arrihet një marrëveshje për armëpushim të përkohshëm në Gaza, por ka theksuar se mbetet me shpresë se ai mund të arrihet, transmeton Anadolu.

I pyetur nga një gazetar nëse mund të arrihet armëpushimi deri të hënën, Biden tha se “shpresa vjen e përjetshme”.

“Isha në telefon me njerëzit në rajon. Unë ende jam duke punuar për të. Ndoshta jo deri të hënën, por kam shpresë”, tha Biden derisa përgatitej të nisej nga Shtëpia e Bardhë për në Teksas.

Në fillim të kësaj jave, Biden tha se ai shpresonte se një armëpushim mund të vinte në fuqi deri më 4 mars, duke përmendur vrullin e negociatave në vazhdim.

I pyetur nëse do t’i ndërlikonin bisedimet të shtënat e Izraelit ndaj palestinezëve të kequshqyer teksa ata prisnin ndihmën humanitare të nevojshme në Gaza, Biden u përgjigj shkurt “unë e di që do të ndodhë”, megjithatë ai tha se nuk e di përfundimisht se çfarë ka ndodhur.

Një burim ushtarak izraelit pranoi se ushtria sot në mëngjes hapi zjarr ndaj palestinezëve që prisnin të marrin ndihmën humanitare në qytetin e Gazës, duke lënë qindra të vdekur dhe të plagosur.

Burimi, i cili foli në kushte anonimiteti, tha për Anadolu se të shtënat ndodhën pranë “korridorit humanitar” që ushtria po krijon në jug të qytetit të Gazës.

Sulmi vdekjeprurës, sipas burimit, ndodhi kur disa palestinezë iu afruan forcave izraelite teksa vëzhgonin hyrjen e kamionëve të ndihmës në qytetin e Gazës, duke paraqitur rrezik për ushtarët të cilët më pas hapën zjarr. Burimi shtoi se të shtënat mbeten nën hetim.

Ushtria izraelite pretendoi se një rrëmujë rezultoi në viktima mes palestinezëve, ashtu si edhe kamionët që dyshohet se goditën civilët gjatë kaosit.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se të paktën 104 palestinezë u vranë në sulm dhe mbi 700 të tjerë u plagosën.

Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi kur, sipas Tel Avivit, u vranë më pak se 1.200 njerëz.

Që atëherë, sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 30.035 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 70.500 të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.