Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne për 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës

Shpërndaje

Shkëlqesia e juaj, znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Zëvendëskryeministra e ministra të Qeverisë,

Shkëlqesi ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë,

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore,

Të nderuar prijës fetar,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Edhe sot, si çdo vit, mblidhemi për të uruar ditëlindjen e pavarësisë së Kosovës. Me 16 vitet e saj mbi supe, Republika e Kosovës është më e reja në rajon, më e reja si shtet e shtat, por me vetëdijen e pjekur, po aq sa dhe vetëdija e shteteve më të vjetër se ajo.

Sepse Republika e Kosovës më 2008 ishte tashmë e maturuar, si realizimi i një aspirate popullore të brumosur për shumë vite e dekada. Kosovën e kanë pjekur para kohe kryengritjet për bashkimin e vilajeteve dhe pavarësinë e Shqipërisë; atë e ka pjekur qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të njëpasnjëshme të pushtimeve dhe gjenocideve.

Koha e saj kishte ardhur më 1981, kur anembanë shtatit të saj njerëzit mbushnin sheshet e u dilnin përballë tankeve duke thirrur “Kosova Republikë!”. Kosova u bë republikë me Kushtetutë në Kuvendin e Kaçanikut, për të u luftua me demonstrata e protesta paqësore dhe me pushkë lirie të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me flijimet që bëri për idenë e republikës, populli ynë në Kosovë fitoi simpatinë e shteteve demokratike e përparimtare, që i dolën në krah në vitin 1999. Më 2008 nuk kishte mbetur më asnjë dilemë te bashkësia e vendeve demokratike që Republika e Kosovës do të vinte, por diskutohej të vinte në një trajtë të tillë që ishte e pranueshme edhe për armikun më të madh të saj, shtetin serb që kishte dashur ta mbyste edhe idenë e shtetit te shqiptarët.

Të nderuar qytetarë e qytetare të Republikës!

Të gjithë ne e kemi të qartë se në rast se Serbia shtetërore do të ishte ndjerë sadopak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist, ajo do të duhej ta kishte njohur Kosovën qysh në vitin 2008. Republika e Kosovës garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht për serbët, që përfitojnë e kontribuojnë në shtetin tonë të përbashkët.

Ndërkaq, shqiptarët në Luginën e Preshevës janë pakica më e diskriminuar në Evropë, që dhe sot po i nënshtrohet spastrimit nëpërmjet të ashtuquajturit “pasivizim të adresave”. Është për keqardhje e fatkeqe që fqinji ynë verior ka zgjedhur rrugën e konfrontimit dhe të bllokimit të funksionit të brendshëm të republikës sonë dhe të njohjeve të saj së jashtmi.

Ajo fillimisht kishte refuzuar propozimin franko-gjerman, e sot vazhdon të refuzoj nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që sjellë fqinjësi të mirë evropiane.

Në vend të saj, ajo madje përqafoi terrorizmin.

Edhe aty dështoi me turp, përballë heroizmit dhe profesionalizmit të policisë sonë. Mirëpo, për mbrojtjen e republikës sonë prej terroristëve të financuar, ushtruar dhe drejtuar nga Serbia, u desh që përsëri të jepnim dëshmorë. Rreshteri Afrim Bunjaku i shtohet plejadës së dëshmorëve tonë. Pa sakrificën sublime të tyre ne nuk do të përkujtonim sot përvjetorin e republikës. Lavdi dëshmorëve! Republika kurrë nuk ju harron!

Të nderuar deputetë të Kuvendit dhe pjesëmarrës të tjerë në këtë mbledhje të ditës së shënuar të 17 Shkurtit!

Republikës i dalim zot, të gjithë, secili, secila bashkë! Republika, ashtu siç e ka konceptuar 125 vjet më parë patrioti Sami Frashëri te manifesti i tij politik, është e nevojshme për mbrojtje dhe për zhvillim. Ne nuk e negociojmë ekzistencën tonë, lirinë tonë dhe të drejtën tonë për t’u mbrojtur e zhvilluar, prandaj përditë si qeveri e Kosovës marrim masa për të ndërtuar shtetin ligjor, për të forcuar demokracinë dhe llogaridhënien, për të përfshirë dhe ndihmuar të gjithë qytetarët pavarësisht prej etnisë apo gjinisë së tyre. Kosova së fundi ka bërë përparime të rëndësishme, në mbrojtje e siguri, në respektimin e ligjit dhe në forcimin e një shteti social që adreson nevojat e qytetarëve, në mënyrë që atyre t’u jepet mundësi për të jetuar me dinjitet. Që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët tanë lëvizin pa viza në Zonën Shengen, duke bërë që të intensifikohen marrëdhëniet me diasporën tonë të madhe që ka kontribuar kaq shumë për shtetin tonë.

Kosova renditet ndër demokracitë e suksesshme në rajon, ndërkohë që vende të tjera kanë bërë hapa mbrapa duke kufizuar liritë e qytetarëve dhe duke kërcënuar edhe vende të tjera të rajonit. Kosova mbetet e përkushtuar për Procesin e Berlinit, për Planin e Rritjes, dhe do të vijojë punët me partnerët e aleatët tanë perëndimorë për qëllimin e anëtarësimit në NATO dhe në Bashkim Evropian. Sidomos anëtarësimi i Kosovës në NATO është një imperativ për të garantuar sovranitetin e shtetit tonë dhe për të penguar influencat e Rusisë në rajonin tonë. Bashkëpunimi me Shqipërinë do të shtohet dhe Qeveria e Kosovës mbetet e zotuar për të zbatuar marrëveshjet midis dy shteteve tona. Kosova është në krah të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi, si shtete fqinje me të cilat ne ndajmë vlera të njëjta. Ne besojmë se qytetarët shqiptarë në këto vende do të jenë një faktor për paqe, drejtësi, demokraci dhe aleancë me Perëndimin.

Sipas parashikimeve të Bankës Botërore, republika e jonë në 2024 pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon. Do t’i japim shtysë projekteve zhvillimore dhe mbështetjes sociale për jetesën e mirë në republikë demokratike.

Në ditëlindjen e 16-të të pavarësisë falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Italinë, Turqinë dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian e të NATO-s. Falënderojmë të gjitha 117 shtetet njohëse të pavarësisë anembanë globit: nga Kanadaja te Australia e Zelanda e Re, nga Japonia te Panamaja e Peruja. Në veçanti falënderojmë Shqipërinë, popullin e saj mbarë, strukturat shtetërore e partiake dhe udhëheqjet politike e shoqërore. Falënderojmë partitë politike të Kosovës, këtu në parlament e ato jashtë parlamentare, pakicat kombëtare (pra serbët, boshnjakët, turqit, ashkalinjtë, romët, egjiptasit e goranët) dhe organizatat joqeveritare (pra shoqërinë civile e mediat), klerikët fetarë dhe të gjithë profesionistët e vendit tonë për kontributin në republikën tonë.

Me 16 vitet e saj, republika gëzon shëndet e bukuri dhe ne do të bëjmë çmos që ajo të begatojë dhe të zbukurohet edhe në të ardhmen, sepse të gjithë ne, si popull e si institucione, jemi të vendosur për t’i dalur zot Kosovës tonë!

Urime!

Ju falemnderit!