Gratë e VV-së i presin në konak gratë e VLEN-it, synohet rritja e përfaqësimit të grave
Disa përfaqësuese të koalicionit opozitar shqiptar – VLEN janë pritur në takim nga disa përfaqësuese të Vetëvendosjes në Prishtinë, ku në krye u ka qëndruar ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, transmeton TV21.
Në kumtesën e VLEN-it, bëhet e ditur se qëllimi i takimit është rritja e përfaqësimit të grave, duke këmbyer përvojat.
Më tej thuhet se takimi i sotëm dëshmoi se gratë janë shtylle e vërtetë e shoqërisë, por edhe forca e vërtetë e ndryshimit.
“Përfaqësueset e Koalicionit VLEN sot në Zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE në Prishtinë, u pritën nga kryetarja e Forumit të Gruas në VV dhe njëherit ministre e Drejtësise, Albulena Haxhiu.
Thellimi i bashkëpunimit, këmbimi i ideve dhe përvojave, praktikat e udhëheqjes së mirë, rritja e përfaqësimit të grave, ishin ndër temat kryesore që u diskutuan në takimin e sotëm ku të pranishme ishin edhe Mrika Limani-Myrtaj, Nënkryetare e Lëvizjes VETËVENDOSJE, Saranda Bogujevci, Nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Fatmire Mulhaxha-Kollcaku, deputete,
Arijeta Rexhepi gjithashtu deputete, Nazlie Bala, anëtare e kryesisë së GVV-së sikurse Rinë Zhitia dhe Agnesa Kastrati, sekretare organizative e GVV-së.
Edhe me takimin e sotëm padyshim u dëshmua fakti se gratë janë shtylla e vërtetë e shoqërisë, por edhe forca e vërtetë e ndryshimit”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.