Kuvendi shqiptar ratifikon marrëveshjen me Italinë për emigrantët
Kuvendi i Shqipërisë me 77 vota për ka ratifikuar marrëveshjen për emigrantët të nënshkruar me Italinë më 6 nëntor të vitit 2023.
Sipas Marrëveshjes për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e këtij viti. Kjo marrëveshje është miratuara edhe në Itali nga Dhoma e Ulët e Parlamentit dhe nga Senati.
Veç deputetëve të Partisë Socialiste në pushtet, votën pro kësaj marrëveshjeje e dhanë edhe tre deputetët e Partisë në opozitë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU).
Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, tha se të gjithë duhet të kishim votuar për marrëveshjen, pasi Italia është një vend mik, që sipas saj, ka ndihmuar gjithnjë Shqipërinë në momente krizash.
Ndërkaq, deputetët që i përkasin Partisë Demokratike zyrtare e bojkotuan seancën parlamentare, për shkak të kundërshtive për Projektligjin e paraqitur në Kuvend për amnistinë penale. Në votim për marrëveshjen nuk morën pjesë as deputetët e “Rithemelimit”, edhe pse ishin të pranishëm në sallë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ishte pjesë e punimeve të Kuvendit, ndërsa në rrjetin social X, që më herët njihej si Twitter, ai shkroi se Shqipëria veproi si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.
“Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të ndryshojë madhësinë e saj dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyra e të menduarit të kaluar nuk mund të sigurojë një shpëtim nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet”, tha Rama.
Marrëveshja parasheh që Shqipëria të strehojë deri në 36.000 emigrantë për një vit, në dy qendra brenda shtetit, përderisa Italia të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.
Partitë opozitare, si në Shqipëri edhe në Itali, e kanë kundërshtuar marrëveshjen. Në Shqipëri, opozita e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen me pretendimin se binte ndesh me Kushtetutën. Gjykata e rrëzoi kërkesën e opozitës, duke i hapur rrugë kështu ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend.
Ndërsa në Itali, opozita e konsideroi marrëveshjen një propagandë të shtrenjtë të Qeverisë para zgjedhjeve evropiane që do të mbahen më vonë gjatë vitit, dhe një përpjekje të turpshme për ta shndërruar Shqipërinë në një “Guantanamo” të Italisë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur marrëveshjen, të cilën e ka cilësuar si një nismë të rëndësishme dhe një ide kreative për të menaxhuar çështjen e migrimit. Por, grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim me marrëveshjen, duke argumentuar se Italia po shmang obligimet e saj ndërkombëtare.
Amnistia penale, “peng” i 84 votave
Projektligji për amnistinë penale, prej të cilës do të përfitonin rreth 700 persona të paraburgosur dhe të dënuar, nuk arriti të miratohej në Kuvendin e Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, njoftoi tërheqjen e Projektligjit për dhënie amnistie nga rendi i ditës. Tërheqja nga ky projektligj u bë për shkak se nuk u siguruan 84 votat e nevojshme.
Në përfundim të seancës që zgjati 7 minuta, deputeti demokrat Gazment Bardhi, akuzoi PS-në se përmes këtij projektligji po synon të amnistojë ish-zyrtarë të korruptuar. Këto pretendime i hodhi poshtë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duke deklaruar se nuk do të ketë asnjë lloj amnistie për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Megjithatë Manja u shpreh optimist se shumica do t’i sigurojë votat dhe amnistia do të miratohet së shpejti.
Gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare, PD-ja e kushtëzoi votën për amnistinë me shtimin e një amendamenti. Partia Demokratike ka kërkuar amnisti të plotë të të gjithë protestuesve që janë në hetim apo janë të dënuar për shkak të veprimeve në protestat politike të organizuara në periudhën 1 tetor 2018 deri më 31 dhjetor 2020, duke kërkuar edhe amnistimin të atyre që janë dënuar për “goditje për shkak të detyrës”. Ky propozim është pranuar pjesërisht nga shumica parlamentare, e cila ka kërkuar që të mos falen ata që janë dënuar apo janë në ndjekje penale si të akuzuar për dhunë në protesta, shkatërrim i pronës me zjarr apo edhe dhunë ndaj policisë.
“Nuk dua votat e Lulzim Bashës me kusht. Dua votat e Kuvendit të Shqipërisë të lexojnë ligjin. Votat janë aty, do ketë mbi 90 vota ky ligj, ka deputetët të përgjegjshëm në atë sallë”, tha ministri Manja.