Nga seanca e tretë e Qeverisë: Teksti i Propozim ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për masat kufizuese u përcaktua për ridërgim në Kuvend
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përcaktoi tekstin e Propozimit për Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për masat kufizuese.
Me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Masat Kufizuese, zgjidhja ligjore shton se qëllimet e këtij ligji, përveç garantimit të paqes ndërkombëtare, sigurisë, demokracisë, sundimit të ligjit, janë edhe lufta kundër korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, si dhe kërcënimet hibride ndaj shtetit.
Me ndryshimet dhe plotësimet në ligj, siç sqaroi propozuesi, Ministria e Punëve të Jashtme, shtohen aktet ligjore të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar – në bazat që lejojnë përdorimin e masave kufizuese. Me zgjidhjen ekzistuese ligjore, Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur 100% pajtueshmëri me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, në lidhje me vendimet e Bashkimit Evropian për kufizimet – dhe zgjidhja aktuale ligjore mundëson përdorimin e masave kufizuese në tre baza: Rezoluta të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aktet ligjore të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, anëtare e të cilave është shteti, si dhe kërkesat/aktet ligjore të shteteve të tjera, që lidhen vetëm me përhapjen e armëve dhe terrorizmit. Legjislacioni i SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar tani po u shtohet këtyre bazave.
Gjithashtu propozohet zgjerimi i instrumenteve, pra shtimi i dy masave të përkohshme sigurie: pezullimi nga funksionet publike, pra pamundësia për të marrë pjesë në kandidim për poste publike dhe pamundësia për të marrë pjesë në prokurimet publike, pra marrëveshje me shtetin, ku përfshihen fondet shtetërore, kurse është përcaktuar gjithashtu edhe procedura. Përshtatjet e ligjeve të tjera do të pasojnë, nëse është e nevojshme, në përputhje me këtë zgjidhje ligjore.
Gjithashtu, nëse zgjidhja ligjore ekzistuese, si masa kufizuese, parashikon: embargo, ndalim hyrjeje, masa financiare, me ndryshimet dhe shtesat shtohen dy masa të parakohshme sigurie. Domethënë, pas marrjes së informacionit se ekziston një akt i caktuar ligjor nga SHBA, nga Mbretëria e Bashkuar, apo nga BE, MPJ, MPB, Prokuroria Publike dhe agjenci të tjera për sigurinë kombëtare dhe inteligjencën financiare, kanë mundësinë të propozojnë masa kufizuese deri tek Qeveria. Pas miratimit të masës kufizuese, është paraparë që Qeveria të detyrojë propozuesin që të mbledhë, transferojë dhe dorëzojë në Prokurorinë Publike të gjitha informacionet dhe faktet materiale e jomateriale që mund të sigurojë. Sipas asaj që është propozuar në ndryshimet e ligjit, Prokuroria Publike është e obliguar që menjëherë të hapë procedurë, në pajtim me Ligjin për Procedurën Penale, gjegjësisht sipas afateve dhe procedurave të parapara me Ligjin për Procedurën Penale – por Sipas ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara nga Qeveria sot, prokurori publik është i obliguar që menjëherë të kërkojë nga gjykata masa të përkohshme të sigurisë.
Qeveria në seancën e sotme shqyrtoi kërkesën e Sindikatës së Punëtorëve nga Administrata, Organet e Drejtësisë dhe Shoqatat e Qytetarëve (UPOZ) lidhur me gjendjen në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. U vendos që të anulohet rekomandimi për Bordin Drejtues të FSSH nga data 9 janar 2024 dhe u bë rekomandim i ri që i referohet vlerës aktuale të pikës së llogaritjes së pagës, e vlefshme nga 1 janari 2024 deri më 31 maj 2024.
Qeveria gjithashtu ka miratuar Vendim për themelimin e Komisionit për monitorimin e zbatimit dhe interpretimit të dispozitave të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin publik. Me vendim është formuar Komisioni me përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Komisioni, siç sqaroi ministri plotësues i Punës dhe Politikës Sociale, do të shqyrtojë çështjet e ngritura nga punëtorët, të cilat i referohen të drejtave të tyre të punës, në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive.
Qeveria në seancën e sotme me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës miratoi Programin për ndryshimin e Programit për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore për vitin 2024.
Me ndryshimet, përmes rishpërndarjes së brendshme të mjeteve buxhetore të dedikuara për arsim, mjetet për ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave fillore për vitin 2024 janë rritur: nga 145.000.000,00 në 226.500.000,00 denarë dhe nga 250.000.000,00 në 265.000,00 denarë. Fjala është për mjetet për ndërtimin e objekteve të reja shkollore, apo zgjerimin e objekteve në disa komuna të vendit, si: Prilep, Kumanovë, Veles, Shipkovicë, Debarcë, Çashkë, Lozovë, Kavadar, Kratovë, Likovë, Makedonski Brod, Kriva Pallankë, Plasnicë, Zhelinë, Mogilla, Bogdanc, Mavrovë dhe Rostushë, Haraçinë, Sveti Nikollë, Gostivar, Karbinc, Radovish, Gjevgjeli, Strugë, Tetovë, Negotinë, Rosoman, Bogovinë, Vinicë, Kërkovë, Koçan, Bosilovë, Kërçovë, Demir Kapi, Butel, Çair, Qendër në Shkup dhe në komunat tjera në mbarë vendin.
Qeveria shyqrtoi Njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme se në mënyrë të njëanshme, të nënshkruar vetëm nga Ministri i Punëve të Brendshme, janë miratuar tre urdhëresa për transferime/shkarkime të personelit, pa miratim dhe nënshkrim të barabartë nga zëvendësi plotësues i ministrit të Punëve të Brendshme, parashikuar me akte ligjore. Prandaj, Qeveria mori Vendim për anulimin e Urdhëresave të njëanshëm të Ministrit të Punëve të Brendshme.
Qeveria shqyrtoi dhe miratoi informacionin nga Ministria e Kulturës për përgatitjen e Raportit për gjendjen me mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit dhe progresin në zbatimin e rekomandimeve nga Vendimi i Komitetit për Trashëgimi Botërore dhe miratoi Raportin, së bashku me një plan strategjik të rishikuar për rehabilitimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit (2023-2030).
Ministri i Kulturës, si kryetar i Komisionit Kombëtar të UNESCO-s të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të dorëzojë Raportin në Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Raporti, siç bëhet me dije nga ministria përkatëse, është përgatitur në bazë të informacionit përkatës të dorëzuar nga autoritetet qeveritare, institucionet dhe organizatat relevante, vetëqeverisja lokale dhe palët e tjera të interesuara, të cilat i referohen aktiviteteve të realizuara aktuale dhe të planifikuara në drejtimin e mbrojtjes së trashëgimisë natyrore dhe kulturore botërore ndërkufitare të rajonit të Ohrit dhe përmbushjen e rekomandimeve të misioneve të UNESCO-s.
Qeveria, me propozim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, miratoi Informacionin për nënshkrimin e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA 3 (2021-2027) dhe autorizoi ministrin e Vetëqeverisjes Lokale për nënshkrimin e Marrëveshjes. Qëllimi i programit ndërkufitar IPA 3 është përmirësimi i mundësive për punësim dhe të drejta sociale dhe përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe konkurrueshmërisë ndërmjet komunave në të dy vendet.
Në pjesën e çështjeve kadrovike, Qeveria ka marrë vendim për shkarkimin e Bojan Llazarevskit nga pozita e ushtruesit të detyrës drejtor i Agjencisë së Filmit dhe të emërojë Vladimir Angelov për drejtor të Agjencisë së Filmit. Po ashtu, Qeveria ka vendosur që t’i rekomandojë Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë Aksionare shtetërore për qarkullim postar “Posta e Maqedonisë së Veriut” – Shkup që të tërheqë Bujare Abazin si anëtare e Bordit Drejtues – e cila mban postin e Drejtorit të përgjithshëm dhe si anëtar të Bordit Drejtues të Shoqërisë Aksionare shtetërore për komunikacion postar “Posta e Maqedonisë së Veriut” – Shkup të zgjedhë Idri Istrefin. Në seancën e sotme është shkarkuar nga detyra e u.d të Drejtorit edhe Gazmend Abdija, drejtor i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.