Osmani dekoron ekipin e FSK-së që shkoi në Turqi: Do të vazhdojmë ndihmën tonë

Shpërndaje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot me Medaljen Presidenciale Ushtarake pjesëtarët e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të angazhuar në misionin humanitar të kërkim-shpëtimit, pas tërmetit në Turqi.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, gjeneralë dhe oficerë të lartë të FSK-së si dhe familjarët e pjesëtarëve të Kontingjentit të FSK-së që ishin me mision në Turqi.

Me këtë rast, Presidentja Osmani ka deklaruar se Kontingjenti i FSK-së u nderua për trimërinë, guximin e sakrificën e pashoq për shpëtimin e jetëve të njerëzve të prekur nga tragjedia e tmerrshme e tërmeteve në Turqi, duke theksuar se: “Forca jonë e Sigurisë mbetet sinonim i paqes dhe sigurisë në vend dhe në botë”.

Kujtojmë se mbrëmë me të arritur në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, ata u pritën nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.