Reagon Haxhiu: Dërgimi në Kushtetuese i Ligjit për Byronë ka për qëllim zhagitjen e reformave

Shpërndaje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu reagoi pasi Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar në Kushtetuese, Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Haxhiu tha se një gjë e tillë ka për qëllim zhagitjen e reformave.

Reagimi i plotë:

Në përputhje me zotimin tonë para qytetarëve, në Qeverinë Kurti 1 patëm filluar punën për themelimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Përgjatë kësaj periudhe janë mbajtur qindra mbledhje deri në hartimin dhe harmonizimin e projekt-ligjit mbi të cilën Byroja do të merrte jetë.

Për të qenë edhe më korrekt, pas kërkesës së opozitës dhe para miratimit në parim, projekt-ligjin e dërguam edhe në Komisionin e Venecias si institucionin më kredibil për demokraci nëpërmjet ligjit. Pasi kaloi të gjitha hallkat e verifikimit më në fund u soll në Kuvend për t’u votuar në leximin përfundimtar.

Nuk ka institucion më të lartë në kontinentin tonë për të shuajtur dilemat e opozitës sesa Komisioni i Venecias. Madje edhe vet Gjykata Kushtetuese në rastet sidomos më komplekse, konsultohet me Komisionin e Venecias.

Kësisoj, dërgimi i Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese, ka për qëllim zhagitjen e reformave.

Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime pëbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve.

Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë.

*****

13: 32- PDK-ja e dërgon në Kushtetuese Projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Këtë për portalin rtv21.tv e konfirmoi koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetin e Qeverisjes së Mirë në PDK, Përparim Gruda.

Kuvendi i Kosovës më 9 shkurt 2023 e miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar. Dita e fundit ka qenë dje e hënë (20 shkurt) dhe është shfrytëzuar nga PDK për të iu drejtuar Kushtetuese.