Pse Talat Xhaferi i shkarkoi ministrat e Aleancës për Shqiptarët edhe pse e votuan për kryeministër?

Shpërndaje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka shpjeguar se pse i shkarkoi ministrat e Aleancës për Shqiptarët edhe pse e votuan për kryeministër.

Xhaferi në emisionin “Kallxo Përnime” tha se i ka shkarkuar ministrin e Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe i ministrin e Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, për shkak se këta të fundit u deklaruan se do të shkojnë në opozitë me kryetarin e partisë.

“I kam shkarkuar ministrat atë të Shëndetësisë dhe atë të Administratës dhe Shoqërisë Informatike. Nuk ka lidhje, është çështje procesi. Ministrat deklaruan se do të shkojnë në opozitë me kryetarin e partisë. Nuk ka lidhje që më kanë votu, edhe unë e kam votu dikënd”- deklaroi Xhaferi në emisionin “Kallxo Përnime” që u transmetua më 23.02.2024.

Xhaferi tha se do ta votonte Arben Taravarin, kandidatin për president të opozitës shqiptare që përbëhet nga katër parti politike, nëse do të kandidonte vetëm.

“Të kish qenë i vetmi ndoshta e kisha votu. Është çështje e përcaktimit tim personal është e drejta ime të shprehem. Çështja e votimit është çështje e së drejtës dhe është e fshejtë prandaj nuk kemi obligim askujt me ju deklaru për kënd dhe si jemi ëprcaktu në kutinë e votimit” – shpjegoi kryeministri maqedonas.

Më 28.01.2024, Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.

Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, që pritet të mbahen më 8 maj 2024. Pro zgjedhjes së ekzekutivit votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.

Udhën për t’u kurorëzuar Xhaferi kryeministër e hapi dorëheqja e Dimitar Kovaçevskit më 25.01.2024, qeveri të cilën e ka udhëhequr nga 11.01.2022.