Bota

Türkiye pret që Izraeli t’i marrë seriozisht paralajmërimet globale për sulmet në Rafah

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Hakan Fidan, ka deklaruar se Ankaraja pret që Izraeli të marrë parasysh paralajmërimet e komunitetit global kundër ndonjë sulmi në Rafah në jug të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

“Komuniteti ndërkombëtar është mbledhur, po lëshon paralajmërime për Izraelin, veçanërisht duke bërë thirrje kundër ndonjë sulmi në Rafah. Ka paralajmërime shumë serioze dhe ne presim që Izraeli t’i marrë parasysh këto paralajmërime”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me homologun e tij gjeorgjian, Ilia Darchiashvili.

Fidan tha se Türkiye po bën përpjekje të rëndësishme, veçanërisht në fushën e ndihmës për popullin e Gazës si dhe po bashkëpunon ngushtë me Egjiptin për këtë çështje.

Ai njoftoi se Gjysmëhëna e Kuqe Turke, agjencia për fatkeqësitë AFAD dhe organizatat joqeveritare janë të angazhuara në përpjekjet e ndihmës humanitare nën koordinimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por u ankua për kufizimet në sasinë ditore të ndihmës që mund të hyjë në enklavën e bllokuar.

“Ne po punojmë me komunitetin ndërkombëtar për të eksploruar mënyra për të rritur këtë kompensim”, tha Fidan.

Që nga një inkursion ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, kur sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 persona, ofensiva izraelite në Rripin e Gazës ka vrarë mbi 28 mijë palestinezë si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza. Izraeli tani ka njoftuar planet për një pushtim tokësor në Rafah, ku më shumë se 1 milion njerëz janë strehuar ndërsa liderët botërorë po rrisin presionin për t’u tërhequr nga kjo ofensivë.

Ndërkohë, qeveria e Afrikës së Jugut i ka kërkuar GJND-së të shqyrtojë ndërhyrjen në operacionet e planifikuara ushtarake të Izraelit në qytetin palestinez.

– Mesketët turq, marrëdhëniet Azerbajxhan-Armeni dhe diplomacia

Duke folur për dëbimin me forcë të mesketëve turq nga Gjeorgjia në vitin 1944, shefi i diplomacisë turke përsëriti pritjen e mbështetjes nga Tbilisi për kthimin e tyre.

“E theksova edhe një herë mbështetjen që presim prej tyre për kthimin e bashkatdhetarëve tanë mesketë turq në vendlindjen e tyre në Gjeorgji”, tha Fidan duke shtuar se ministri Darchiashvili ndau me të kuadrin ligjor dhe qëndrimet konstruktive të Gjeorgjisë si qeveri në këtë drejtim.

Fidan tha se ata biseduan mbi zhvillimet në rajonet e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut dhe shprehën qëndrimin e Türkiyes në favor të zgjidhjes së çështjeve brenda kornizës së sovranitetit të Gjeorgjisë, integritetit territorial dhe kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Siç tha ministri turk, ata gjithashtu diskutuan për procesin e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë si dhe përsëritën dëshirën e tyre reciproke që rajoni i Kaukazit të arrijë sa më parë stabilitetin.

“Ne reciprokisht edhe një herë theksuam mbështetjen tonë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. U angazhuam në një shkëmbim idesh se çfarë mund të bëhet për t’i dhënë fund kësaj lufte me një paqe të drejtë të bazuar në të drejtën ndërkombëtare”, shtoi Fidan.

Ai tha se Ankaraja do të marrë pjesë në Konferencën 3-ditore të Sigurisë në Mynih duke filluar nga e nesërmja dhe më vonë në takimin e ministrave të Jashtëm të G20-tës në Rio De Janeiros në Brazil. Ai kujtoi edhe Forumin e Diplomacisë në Antalya, i cili do të mbahet më 1-3 mars.

“Në dy javët e ardhshme, Türkiye do të vazhdojë të angazhohet intensivisht në aktivitete diplomatike”, tha Fidan.