Vizita e sekretarit Blinken në Tiranë/ Rama: Vlerë e veçantë për Shqipërinë, ritheksoj partneritetin strategjik me SHBA-në

Shpërndaje

Një vlerë të veçantë për Shqipërinë, e cilëson kryeministri Edi Rama vizitën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që do të vijë në Tiranë javën e ardhshme.

Sipas kryeministrit, “ardhja e një Sekretari të Shtetit në këto kohë kaq të trazuara për botën, si edhe zgjedhja për ta vizituar rajonin tonë duke u ndalur pikërisht në kryeqytetin tonë, kanë një vlerë të veçantë për Shqipërinë“.

Përmes një shkrimi të postuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thekson “angazhimin e plotë të Shqipërisë në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara”.

Blinken do të vijë në Tiranë në 15 shkurt, ku sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, duke iu referuar burimeve në dijeni të kësaj vizite, raporton se tre janë qëllimet e ardhjes në vendin tonë.

Falenderim për Shqipërinë për pritjen dhe strehimin e mbi 2,000 refugjatëve afganë të cilët erdhën në vitin 2021. Sugjerohet edhe mundësia e shkuarjes të Antony Blinken në Shëngjin për të parë vendin ku u strehuan afganët, e biseduar me ata afganë, të cilët vijojnë të jenë ende atje.

Sikurse për të falënderuar e vlerësuar edhe njëherë tjerë rolin e Shqipërisë në Rajon dhe atë çfarë prodhoi vendi ynë si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit. Përmes kësaj vizite sekretari Blinken synon të ritheksojë mbështetjen amerikane ndaj prokurorisë speciale SPAK.

Sa i përket se kë do të takojë Blinken në Tiranë, sugjerohet se në agjendën e deritanishme parashikohen vetëm dy takime. Me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK Altin Dumani. Megjithatë, agjenda e takimeve mund të ndryshojë e të përfshi persona të tjerë.