MaqedoniTop Lajme

Arben Taravari për 8 Mars shpërndan mesazhin e gruas së tij: Gra, kudo që jeni ndriçoni!

Shpërndaje

Kryetari i Aleancës për Shqiptaret dhe kandidat i koalicionit VLEN për zgjedhjet presidenciale, Arben Taravari, me rastin e 8 Marsit, ka shpërndarë një urim të bashkëshortes së tij Nora Taravari, ku, siç thotë ai, janë thënë të gjitha sa i përket kësaj dite të rëndësishme të gruas.
Më poshtë ua sjellim postimin e plotë:
Unë kam fatin të jem rrethuar nga nëna ime e shtrenjtë, nga gruaja ime e mrekullueshme, motra ime Zanë, që është po njësoj një mrekulli! Por sot kam zgjedhur këtë urim të gruas time Nora që ta ndaj me ju, sepse mendoj që Nora i ka thënë të gjitha!
Gëzuar 8 Marsin!
Ja çfarë shkruan Nora
“Para disa ditësh, fola në tubimin promotiv të kandidatit për President të VLEN-it, Arben Taravari që është im shoq.
Fjalimi im ishte risi për mua por rezultoi të ishte edhe një surprizë e madhe sepse pas atij fjalimi kam marrë me dhjetra e qindra urime.
Ju falenderoj të gjithëve dhe sot gjej datën 8 Mars për ta bërë këtë gjë dhe bashkë me të edhe një urim:
Dua të uroj gratë: ato që gjithë kohës janë në punë dhe ato që lajnë e gatuajnë gjithë ditën, ato që rrisin fëmijë e në disa raste edhe burrat e tyre, ato që guxojnë dhe ato që sapo kanë dështuar, ato që janë të reja dhe plot ëndrra dhe dhe ato nuk shohin të ardhme, ato që emri ju dëgjohet dhe ju duartrokitet dhe ato që nuk kanë emër por njihen vetëm si gratë e dikujt, ato që rrethohen nga burra fisnikë…dhe ato që janë në presionin e tmerrshëm të dhunës, ato që sot po buzëqeshin dhe ato që janë tradhëtuar dhe nuk besojnë dot më, ato që sapo kanë sjellë në jetë një krijesë dhe ato që janë në sekondat e fundit të shpresës…JU JENI TË GJITHA ARSYE MREKULLIE PËR DIKË, DIKU NË KËTË BOTË NDAJ SIDO DHE KUDO QË JENI…NDRIÇONI!
Me dashuri
Një nga Ju por krenare që jam si Ju
Nora”