AFP: Qytetarët e Maqedonisë janë dorëzuar, duke kërkuar shpëtimin jashtë vendit

Shpërndaje

Me dyqane të braktisura dhe rrugë pothuajse të zbrazëta, qyteti i vogël i Vallandovës është si shumë qytete tjera në Maqedoninë veriore, ku të rinjtë largohen në një numër të madh, me shpresën për të gjetur një jetë më të mirë jashtë vendit, fillon një raport i AFP mbi migrimin nga Ballkani.

“Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, Maqedonia e Veriut po lufton me një rënie demografike alarmante, e nxitur nga emigracioni masiv dhe plakja e banorëve të saj. Vendi ka humbur 10% të popullsisë së tij në 20 vitet e fundit dhe tani ka 1.8 milionë banorë, sipas rezultateve paraprake nga regjistrimi i shtatorit, 200,000 më pak se në regjistrimin e fundit të vitit 2002”, shkruan AFP.

Më tej nënvizohet se 30 vjet pas pavarësisë së vendit, rreth 600,000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut jetojnë jashtë vendit. Këto të dhëna janë sipas të dhënave nga Banka Botërore dhe qeverisë në Shkup, përcjell INA.

Sipas AFP, arsyet kryesore të këtij emigrimi janë rritja e dobët ekonomike dhe mungesa e investimeve.

Fshatrat dhe qytetet e vogla si Vallandova ofrojnë pak mundësi punësimi, duke i detyruar njerëzit ambicioz të kërkojnë punë diku tjetër.

“Shpirti i të rinjve është shkatërruar sistematikisht dhe entuziazmi i tyre për të luftuar dhe për të qëndruar në shtëpi është zhdukur,” tha për AFP kryetari i komunës së Valandovës, Pero Kostadinov.

“Pesë shokët e mi të klasës tashmë janë jashtë vendit me familjet e tyre”, shton Bojan Nikollov (24 vjeç), anëtar i këshillit komunal të të rinjve në Vallandovë, qytet që mbijeton kryesisht nga bujqësia.

Pas pavarësisë së vendit në 1991, shumë shpresuan se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të sillte përparim. Por rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së është bllokuar sistematikisht, fillimisht nga Greqia dhe më pas, së fundmi, nga Bullgaria, duke ngritur dyshime se vendi një ditë mund të bashkohet me bllokun 27.

Për ata që mbeten në vend, paga mesatare mujore prej 470 eurosh mezi i plotëson nevojat elementare. “Më mirë të jesh skllav për 2000 euro jashtë se sa në shtëpi për 300 euro, dëgjojmë shpesh në të gjithë vendin.”

Por Maqedonia e Veriut nuk është e vetme në këtë situatë në Ballkan, kujton AFP.

Në Shqipëri, rreth 1.7 milionë njerëz, ose pothuajse 37% e popullsisë, janë larguar nga vendi në 30 vitet e fundit.

Në Serbi, vlerësohet se qindra mijëra njerëz kanë rifilluar jetën e tyre jashtë vendit, duke përfshirë 10,000 mjekë që janë larguar në dy dekadat e fundit.

Dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk garanton kthimin në këtë trend demografik, thekson AFP dhe jep shembullin me Kroacinë.

Që nga anëtarësimi në BE në vitin 2013, popullsia e Kroacisë është zvogëluar me pothuajse 10 për qind dhe aktualisht mezi i kalon katër milionë, sipas rezultateve të para të regjistrimit të vitit 2021.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, deri në fund të shekullit, Kroacia mund të kishte mezi 2.5 milionë banorë.

Në dhjetor, Zagrebi zbuloi një plan për të inkurajuar qytetarët e tij të BE që të kthehen në vend, duke ofruar deri në 26,000 euro për t’i ndihmuar ata të fillojnë një biznes.