MaqedoniTop Lajme

Rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, takoi ministren e arsimit dhe sportit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro

Shpërndaje

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, ka zhvilluar një takim zyrtar mjaft produktiv me Ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Mirela Kumbaro. Ky takim u realizua me ndërmjetësimin e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, Sh.T. Denion Meidani, ndërmjet angazhimit dhe koordinimit me kryetarin e Parlamentit Studentor të UNT-së, Besar Sejdiu.

​Fokus i këtij takimi bilateral ishte thellimi i bashkëpunimit akademik dhe institucional, me theks të veçantë në rritjen e mobilitetit të studentëve dhe të kuadrit akademik të UNT-së dhe institucioneve të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.

​Rektori Fetaji dhe Ministrja Kumbaro bashkëndanë qëndrimin se shkëmbimi i përvojave akademike, realizimi i hulumtimeve të përbashkëta shkencore dhe lëvizshmëria e lirë e studentëve dhe profesorëve janë shtylla kyçe për ngritjen e cilësisë së arsimit dhe për integrimin më të shpejtë në hapësirën evropiane të kërkimit shkencor.

​Gjatë bisedës, rektori Fetaji shprehu falënderim të veçantë për Ambasadorin Denion Meidani dhe përfaqësuesit studentorë për rolin e tyre proaktiv në urëzimin e këtij bashkëpunimi, duke nënvizuar se UNT mbetet e përkushtuar në krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare për studentët dhe stafin e saj.

​Nga ana e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit e RSH-së, Znj. Mirela Kumbaro, shprehu gatishmërinë e plotë të ministrisë që ajo drejton për të mbështetur projektet konkrete që nxisin mobilitetin akademik, duke parë UNT si një partner strategjik dhe serioz në rajon.