MaqedoniTop Lajme

Në Universitetin e Tetovës sot kanë filluar punimet e trajnimit tre-ditor “Digital Transformation & Cybersecurity in the Western Balkans”

Shpërndaje

Në Universitetin e Tetovës sot kanë filluar punimet e trajnimit tre-ditor “Digital Transformation & Cybersecurity in the Western Balkans”, i organizuar nga Universiteti i Tetovës në bashkëpunim me organizatën Europe+.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë përfaqësues dhe profesionistë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët gjatë tri ditëve do të kenë mundësinë të shkëmbejnë përvoja dhe njohuri mbi sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi digjital dhe siguria kibernetike në rajon.
Trajnimin e hapi Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i cili theksoi nevojën e padiskutueshme për organizimin e trajnimeve të tilla, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut shpeshherë ka qenë pre sulmeve kibernetike. Ai nënvizoi gjithashtu se Universiteti i Tetovës është ndër institucionet më të digjitalizuara në rajon, duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj inovacionit dhe zhvillimit teknologjik.

Në përmbyllje të ceremonisë së hapjes, Prof. Dr. Vullnet Ameti ndau dhurata simbolike, logon e Universitetit të Tetovës për znj. Majlinda Bregu si ligjëruesja e parë e këtij trajnimi, si dhe portretin e Nënës Terezë për drejtoreshën ekzekutive të organizatës Europe+, znj. Jorida Shytaj, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre në realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm.