Fjalët përfundimtare për “Titanik 2”, Prokuroria kërkoi të dënohen Thaçi, Mijallkovi dhe ish anëtarët e KSHZ-së

Shpërndaje

Prokurori publik Gavrill Bubevski kërkoi që Menduh Thaçi, Sasho Mijallkov dhe ish anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor të shpallen fajtorë për rastin “Titanik 2”, lëndë e cila ka të bëjë me parregullsi zgjedhore. Bubevski kërkoi që çdonjëri prej të akuzuarve të mbajë përgjegjësi sipas shkallës së veprës penale, njofton Portalb.mk.

“Kërkojmë që t’i shpallni fajtorë dhe t’i dënoni për veprën penale të kryer, duke i vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese”, tha prokurori.

Për ish anëtarët e KSHZ-së tha se rrethana lehtësuese janë kundër tyre nuk udhëhiqen procedura tjera, ndërkaq rënduese është se ata e kanë keqpërdorur njohurinë e tyre dhe paligjshmërie që e kanë bërë përpara syve të opinionit.

Për Menduh Thaçin, rrethanë rënduese është paramendimi direkt, ndërkaq lehtësuese është respektimi i tij ndaj gjykatës dhe prokurorisë.

Sipas Bubevskit, rrethanë rënduese për Sasho Mijallkovin është shkalla e përgjegjësisë penale, arsyet pse e ka kryer veprën penale, faktoi që kundër tij udhëhiqen edhe vepra tjera penale, por edhe se është i dënuar me vendim të plotfuqishëm. Rrethanë lehtësuese, tha Bubevski, është sjellja e tij kulturore dhe respekti ndaj gjykatës.

Rikujtojmë që rasti është në rigjykim, pasi që më 23 dhjetor 2019, Gjykata e Apelit i shfuqizoi aktgjykimet për lëndën “Titanik 2”.

Sipas aktgjykimit të gjykimit të parë, i cili u publikua më 8 mars 2019 të akuzuarit janë dënuar me gjithsej parashtruar 19 vjet e 8 muaj burg.

Sasho Mijallkov: 3 vjet burg
Menduh Thaçi: 3 vjet e 2 muaj burg
Bedredin Ibraimi: 4 vjet e 6 muaj burg
Aneta Stefanova: 3 vjet burg
Vllatko Sajkovski: 3 vjet burg
Sasho Sërcev: 3 vjet burg

Sipas aktakuzës, Sasho Mijallkovi, duke e shfrytëzuar fuqinë e vet të cilën e ka pasur në shoqëri dhe raportet e afërta me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçin, në vitin 2013-të, është paraqitur te ai dhe i ka kërkuar, që anëtari i KSHZ-së nga PDSH-ja, Bedredin Ibraimi të votojë për shkatërrim të votimit në vendvotimin në Strumicë, edhe pse për atë nuk ka pasur bazë. Thaçi është paraqitur te Ibraimi, dhe ai ka votuar për shkatërrim.

Anëtarët tjerë të KSHZ-së, Sërcev, Sajkovski dhe Stefanova, edhe ato kanë votuar për shkatërrim të votimit, edhe pse numri i votuesve të regjistruar dhe numri i votuesve ka qenë i njëjtë. Ky vendim i KSHZ-së ka ndikuar që të ketë rivotim, dhe të dëmtohet buxheti.

Të gjithë të akuzuarit e “Titanik 2”, përveç Sasho Mijallkovit, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, ndërkaq ish shefi i Policisë Sekrete akuzohet për veprën penale “marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm”.

Nga “bombat” e publikuara të partisë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), kur ka qenë në opozitë, mund të dëgjohet se si Mijallkov dhe Thaçi merren vesh për votim në lidhje me ankesat e dorëzuara deri te KSHZ-ja. Gjykata e Apelit i ka pranuar dy “bomba” që të jenë pjesë e dëshmive materiale në këtë lëndë.