Grubi: I përjetshëm qoftë kujtimi për heroizmin e Skenderbeut dhe të gjithë ata që vepruan për jetësimin e idealeve!

Shpërndaje

Zv.kryeministri, z.Artan Grubi sot në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, ka marrë pjesë në shënimin e 555-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Postimi i plotë:
Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat që lë pas vetes në shërbim të përjetësisë së kombit të tij. Kryeheroi ynë, Gjergj Kastrioti Skenderbeu na la frymëzimin e qëndresës heroike, mosgjunjëzimin para padrejtësisë, thirrjen për bashkim mbi kauza të drejta, besnikërinë ndaj idealeve, prandaj edhe 555 vjet pas vdekjes madhështohet figura e tij.

Bashkë me kryetarin Ali Ahmeti në këtë përvjetor lavdie reflektuam mbi atë atdhedashuri dhe krenari arbërore me të cilën u ushqye indi ynë kombëtar për të qenë i pavdekshëm, mbi atë trimëri që e njohu Europa si vlerë të saj.

17 janari sjell në kujtimet tona edhe 41 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe rënien heroike të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, përvjetore që dëshmojnë gjenezën e ruajtuar kombëtare mbi të njëjtat ideale të lirisë, drejtësisë dhe bashkimit.

I përjetshëm qoftë kujtimi për heroizmin e Skenderbeut dhe të gjithë ata që vepruan për jetësimin e idealeve!