Ekspertët e sigurisë: Pjesëmarrja e terroristëve të Banjskës në Këshillin e Sigurisë së Serbisë, alarmante
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vetëm dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri publike lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë së Serbisë. Emrat që ishin pjesë ishin shqetësues sipas Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonici.
Ushtarët serb u kapën nga kamerat që përdor policia e vendit për të monitoruar kufijtë kryesisht në pjesën veriore të Kosovës. E këto pamje u publikuan nga kryeministri Albin Kurti dy ditë më parë.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përdorur si pretekst të thirrjes së kësaj mbledhje, sulmin terrorist në Moskë, por ajo çfarë është shqetësuese në përbërjen e këtij Këshilli, është prezenca e Komandantit të Brigadës 63 të Parashutistëve dhe Brigadës 72 të Operacioneve Speciale, formacione ushtarake këto që dyshohet që kanë realizuar përgatitjen dhe trajnimin e qindra anëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile/Brigada e Veriut”, e të cilët më pas morën pjesë në sulmin terrorist të 24 shtatorit, në fshatin Banjskë të Zveçanit”, ka thënë Ejup Maqedonci.
Shqetësuese këtë mbledhje në Beograd po e sheh edhe një ish ushtarak tjetër.
Sipas Nuredin Ibishit, Serbia po vazhdon të përforcoj terroristët e Mbrojtjes Civile e Brigadës së veriut.
“Shqetësuese është se në këtë takim ashtu siç edhe më herët kur e ftonte edhe Radoiçiqin dhe tash shfrytëzoj rastin të ftojë edhe komandantin e forcave e brigadave që kanë qenë në lidhje me përgatitjen e pjesëtareve të dy organizatave terroriste të shpallur nga Qeveria e Kosovës, ata kanë marr pjesë është në përgatitje e nëpër poligone, kjo tregon se Serbia vazhdon jo vetëm në aspektin e pranisë të forcave ushtarake afër Kosovës por edhe dy organizatave terroriste më përgatitje nëpër poligone afër kufirit,” u shpreh Nuredin Ibishi.
Ndërkohë që gjithë kjo po shihet si skenar i njëjtë që Rusia ka përdorur për aneksimin e dy rajoneve në Ukrainë.
“Takimet e tilla ku janë protagonist kryesor kjo dëshmon se tanimë që Serbia po përgatit në forma të ndryshme një metodologji ashtu siç e kanë përgatit forcat Ruse në pjesën e Krimesë në Ukrainë. Tashmë një i tillë po bëhet nga Serbia për të pritur një momentum të duhur për ta rimarrë Kosovën”, tha Drizan Shala, ekspert i Sigurisë.
Misioni paqeruajtës, KFOR-i në një përgjigje për Dukagjinin kanë sugjeruar që të dyja shtetet duhet të përmbahen nga veprimet tensionuese dhe të angazhohen në dialog. KFOR po ashtu ka ritheksuar se për momentin situata është e qetë, por mbetet e brishtë./RTV Dukagjini/