Kuzhinieri i njohur shqiptar rrihet brutalisht, momenti kur tërhiqet zvarrë (Video)

Shpërndaje

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në zonën e njohur si Ura e Gjolës në Fushë Krujë, ku 39-vjeçari Indrit Çela u dhunua me levë nga persona ende të panjohur. 39-vjeçari ishte duke udhëtuar me makinën e tij tip Smart me targa AA 062 LR, por në një moment i kanë prerë rrugën dhe e kanë nxjerrë zvarrë me dhunë nga 2 persona, të cilët me grushta dhe me një levë hekuri e kanë dhunuar brutalisht, ndërkohë që në mjet me të ka qenë dhe bashkëshortja e tij.

Pasi kanë përfunduar e kanë lënë në rrugë të plagosur, me plagë të rënda në kokë dhe fytyrë. Kanë qenë dëshmitarët në vendin e ngjarjes që kanë lajmëruar ambulancën dhe është dërguar në qendrën shëndetësore të Fushë-Krujës, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas, në momentin që në spital mbërriti Policia, 39-vjeçari deklaroi se në fakt thjesht kishte bërë një aksident me makinë dhe në asnjë moment nuk ka pranuar që të jetë rrahur.

Dëshmia i tij nuk i ka bindur efektivët, të cilët kanë nisur menjëherë hetimet duke identifikuar autorët. Një prej të dyshuarve për ngjarjen është një person që me të cilin Indit Çela ka patur konflikte prej disa kohësh, ndërsa po punohet për gjetjen dhe prangosjen e tij për të zbardhur gjithë çfarë ka ndodhur mes tyre.

Indrit Çela është emër i njohur për publikun i cili ka marrë pjesë në emisionet e gatimit në televizione të ndryshme së bashku me mikun e tij, Alfio Rrotani. Të dy kanë qenë pjesë e emisionit “MasterChef Albania”, e së bashku kanë qenë pronarë të një restoranti në qendër të Tiranës. Por përveç Çelës, emri i Alfio Rrotanit kohët e fundit gjithashtu është përfshirë në një skandal në lidhje me një tender 400 mijë dollarë të dhënë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Për këtë ngjarje është nën hetim kreu i FSHZH, Dritan Agollin, i cili akuzohet se i dha 400 mijë dollarë kuzhinierit Alfio Rrotanit, që punonte si shef kuzhine në restorantin e djalin e tij. Hetimet për këtë ngjarje kanë nisur nga SPAK.