MaqedoniTop Lajme

Eksperti amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare Akram R. Elias mbajti ligjëratë në Universitetin e Tetovës

Shpërndaje

Universiteti i Tetovës në bashkëpunim me Këndin Amerikan në Tetovë dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut organizuan ligjëratë me ekspertin amerikan, z. Akram R. Elias. Ligjëruesi i angazhuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, Akram Elias fillimisht realizoi një takim me Rektorin e Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Pas këtij takimi ai në hapësirat e Klinikës Juridike të Fakultetit Juridik e zhvilloi ligjëratën me temë: Ndarja e pushteteve, kontrollet dhe balancimet në Shtetet e Bashkuara”. Gjatë kësaj ligjërate ai foli gjerësisht mbi procesin e qeverisjes dhe politikëbërjes së sistemit amerikan.

Akram R. Elias është ekspert në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, diplomacisë publike, në fushën e trajnimit të lidershipit dhe udhëheqjes civile. Ai po ashtu ka udhëtuar jashtë shtetit si folës publik për tema të tilla si qeveria dhe politika amerikane, politika e jashtme në një mjedis global, liritë civile dhe ndërtimi i demokracisë, shoqëria civile dhe qeverisja e mirë.