Kryeministri i sapoemëruar palestinez: Nuk ka shtet pa Gazën
Kryeministri i sapoemëruar i Palestinës, Mohammad Mustafa, tha se qeveria e re do të punojë për të lehtësuar vuajtjet e popullit palestinez në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Nuk ka shtet pa Gazën dhe në Gaza nuk mund të ketë një shtet larg Al-Kudsit dhe Bregut Perëndimor”, tha Mustafa.
Siç njofton agjencia palestineze e lajmeve WAFA, kryeministri Mustafa në letrën që i ka dërguar presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, ka potencuar se pranon detyrën për formimin e qeverisë së 19-të. Ai thotë se është i nderuar që ka për detyrë të formojë qeverinë e re palestineze.
Mustafa gjithashtu paralajmëroi për sulmet e vazhdueshme izraelite në Gaza nga 7 tetori i vitit 2023.
“Jam i vetëdijshëm për seriozitetin e kësaj faze që po kalon çështja jonë kombëtare, për kushtet e vështira në të cilat gjendet populli ynë i vendosur dhe për seriozitetin e problemit”, tha ai.
Ai po ashtu u fokusua në vrasjen, shkatërrimin dhe terrorizmin e kryer nga kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor.
“Sulmet ndaj të cilave është i ekspozuar populli palestinez kërkojnë përpjekje më të mëdha, bashkim të radhëve të tyre dhe aktivitete të vazhdueshme në komunitetin arab dhe ndërkombëtar”, theksoi Mustafa.
Mustafa, një këshilltar ekonomik për kohë të gjatë i presidentit Abbas, u emërua kryeministri i ri i Palestinës të enjten.
Ai mori detyrën nga Mohammad Ibrahim Shtayyeh, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2019 deri në vitin 2024 para se të njoftonte dorëheqjen më 26 shkurt.