RajoniTop Lajme

Osmani, Kurti, Konjufca homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Shpërndaje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu, Kryetarin e Kuvendi, Glauk Konjufca dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, bëri sot homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në vazhdën e aktiviteteve për nder të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se në Prekazin heroik dhe historik kthehemi dhe rikthehemi, që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë, të cilën e gëzojmë.

“Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend, që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes”, tha ai.

Duke çmuar lartë sakrificën, vetëflijimin e vetëmohimin e Jasharëve, kryeministri Kurti tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare është në themelet e çlirimit të vendit tonë dhe se ajo paraqet edhe dhembje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Pas homazheve, Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani-Sadriu, Kryeparlamentarin Konjufca dhe ministra të kabinetit qeveritar vizituan familjen Jashari, ku u pritën nga Rifat Jashari.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Në Prekazin heroik dhe historik kthehemi dhe rikthehemi, që të kujtojmë dhe përkujtojmë çmimin dhe rrënjët e lirisë të cilën e gëzojmë.

Të gjithë dhe secili duhet të vijnë në këtë vend, që të mos harrojmë dhe që të mos devijojmë. Që të mos e harrojmë të kaluarën dhe që të mos devijojmë drejt së ardhmes.

Vetë flijimi, sakrifica, vetëmohimi i Jasharëve, është Epope e Ushtrisë Çlirimtare në themelet e çlirimit të vendit tonë, e që paraqet edhe dhembje e krenari, por edhe besë dhe shpresë për shtetin dhe popullin tonë.

Me përkulje respekti dhe me ndjenjë admirimi, gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës Jasharëve.

Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, Familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Kryetari Glauk Konjufca: Në Prekaz gjejmë frymëzimin si të mbrohet vendi dhe të ushqehet liria

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, sot, në kuadër të 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial “Adem Jashari në Prekaz“.

Pas nderimeve te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të rënëve të tjerë të familjes Jashari, kryetari Konjufca tha se në të gjithë historinë tonë, sakrifica e Jasharajve dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me luftërat e lavdishme të Skënderbeut dhe Lidhjen e Prizrenit, përbëjnë ndër ngjarjet më të rëndësishme për vetëdijen tonë kombëtare.

Kryetari Konjufca tha se nuk është e rastësishme që shqiptarët, kudo ku jetojnë, nga të gjitha anët e botës vijnë dhe përkulen para varreve të bacit Shaban, Ademit e Hamzës, si dhe të gjithë familjarëve të cilët u flijuan për lirinë e fëmijëve tanë.

“Për sa kohë të ketë popull shqiptar, kombi ynë për sa të ekzistojë, Prekazi gjithmonë do të jetë një vend ku jo vetëm përkulemi, por vazhdimisht edhe gjejmë frymëzim e patriotizëm se si të mbrohet vendi e se si të ushqehet liria”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Më pas delegacioni shtetëror vizitoi familjen Jashari, ku u prit nga përfaqësuesi i kësaj familjeje, Rifat Jashari dhe anëtarë të tjerë të famjes Jashari.

Deklaratë për media e Presidentes Vjosa Osmani pas homazheve në Prekaz