S’ka marrëveshje për dinarin në Bruksel, e treta e vërteta javën e ardhshme

Shpërndaje

Kanë përfunduar takimet e parapara të sotme në Bruksel për çështjen e dinarit.

Sikur në takimin e javës së kaluar, as në takimin e sotëm nuk është arritur ndonjë dakordim për këtë çështje.

Burime të IndeksOnline bëjnë me dije se një takim tjetër, është planifikuar për javën e ardhshme ku synohet të arrihet ujdia për këtë çështje.

Kosova në këto takime po përfaqësohet nga kryenegociatori, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia me Petar Petkoviqin, nën ndërmjetimin e emsiarit, Miroslav Lajçak.

Bislimi: Ka nevojë për një takim shtesë për dinarin

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Gjatë 25 marsit, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar për propozimet e tyre për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua për pagesa në Kosovë që nga 1 shkurti.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë, ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”, tha Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, palët kanë diskutuar për dy propozime, por nuk dëshiroi që të shpalosë detaje, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”.