BotaTop Lajme

Ushtria izraelite bastis spitalin Al-Shifa në Gaza, raportohet për të vdekur dhe të plagosur (Video)

Shpërndaje

Si pasojë e bastisjes që kreu ushtria izraelite në spitalin Al-Shifa në perëndim të Gazës, të shoqëruar nga mjete ajrore pa pilot dhe të shtëna me armë zjarri, kanë humbur jetën dhe janë plagosur shumë persona, raporton Anadolu.

Sipas informacioneve që korrespondenti i Anadolu-s mori nga dëshmitarët okularë, tanket dhe automjetet ushtarake izraelite, nën mbrojtje të fortë zjarri, hynë papritur në rajonet perëndimore të qytetit të Gazës dhe rrethuan spitalin Al-Shifa, ku ndodheshin mijëra të zhvendosur, pacientë dhe të plagosur dhe shënjestruan disa pjesë të spitalit me predha artilerie dhe dronë.

Përderisa disa nga personat e zhvendosur arritën të largoheshin nga spitali para bastisjes, forcat izraelite shënjestruan spitalin dhe hapën zjarr brenda, duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e disa personave të zhvendosur.

Nga ana tjetër, ushtria izraelite njoftoi se ka nisur një operacion kundër spitalit Al-Shifa në perëndim të qytetit të Gazës.

Në lajmet e televizionit shtetëror izraelit KAN, bazuar në ushtrinë izraelite, u tha se “është kryer bastisje në spitalin Al-Shifa në Gaza pas inteligjencës së marrë se është përdorur nga zyrtarë të Hamasit”.

Në deklaratën e tij në rrjetet sociale, zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichay Adraee pohoi se ushtarët izraelitë dhe forcat e njësisë së inteligjencës së brendshme Shabak (Shin-Bet) po “punonin për të parandaluar aktivitetet terroriste dhe kapjen e sulmuesve” në spitalin Al-Shifa.

“Gjatë operacionit dhe rrethimit, ndaj forcave të ushtrisë u hap zjarr nga brenda spitalit Al-Shifa dhe ata u përgjigjën me zjarr dhe sulmuesit u plagosën”, pretendon Adraee.