Erdoğan në Hatay u dorëzoi çelësat e banesave qytetarëve që mbetën të pastrehë nga tërmeti

Shpërndaje

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan ua dorëzoi çelësat e shtëpive të sapondërtuara në Hatay banorëve që mbetën të pastrehë nga tërmeti shkatërrues shkurtin e kaluar, raporton Anadolu.

Në provincën Hatay u mbajt një ceremoni solemne ku çelësat e banesave iu dorëzuan qytetarëve vendas.

“Sot në Hatay, ne po ua dorëzojmë çelësat e apartamenteve 7.275 përfituesve, nga të cilët 6.572 janë në qendrat tona provinciale dhe rretheve ndërsa 703 janë në zonat rurale”, tha Erdoğan në fjalimin para të pranishmëve.

Ai theksoi se tërmeti shkaktoi shkatërrime të mëdha në 11 provinca, 124 rrethe, 7 mijë fshatra dhe vendbanime dhe se rreth 14 milionë qytetarë u prekën drejtpërdrejt nga fatkeqësia e tmerrshme.

Presidenti Erdoğan vuri në dukje se shteti turk ka marrë menjëherë masa emergjente me të gjitha burimet në dispozicion dhe ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për popullsinë e prekur nga tërmeti.

“Shpresojmë që brenda dy muajve të përfundojmë dorëzimin e 75 mijë shtëpive në të gjithë zonën e prekur nga tërmeti”, tha ai.

Në kuadër të punimeve ndërtimore që po zhvillohen aktualisht në rajon nga Ministria e Mjedisit dhe Urbanizimit, 110.450 punëtorë po punojnë në rreth 930 kantiere në 11 qytete të prekura nga tërmeti.

Në zonën e goditur nga tërmeti i 6 shkurtit të vitit të kaluar, çelësat e 75.364 shtëpive do t’u dorëzohen përdoruesve brenda dy muajve dhe gjithsej 200 mijë deri në fund të vitit.

Sipas vlerësimit të dëmeve në 11 qytetet e prekura nga tërmeti, gjithsej 850 mijë njësi, përfshirë 680 mijë shtëpi dhe 170 mijë ndërtesa tregtare u dëmtuan rëndë dhe u bënë të papërdorshme. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti u vlerësuan në 104 miliardë dollarë.

Më shumë se 53 mijë qytetarë humbën jetën nga tërmeti shkatërrues që goditi Türkiyen juglindore në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit.