MaqedoniTop Lajme

Vlera e shportës minimale për muajin mars ka arritur në afro 1 mijë euro

Shpërndaje

Vlera e shportës minimale sindikale për muajin mars arriti në 58.998 denarë, ose për 1,522 denarë më e lartë se në muaji shkurt. Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, rritja më e madhe është në sektorin e ushqimeve dhe pijeve, që për muajin mars është 22.681 denarë, krahasuar me muajin shkurt, shpenzimet e një familje katër anëtarëshe është rritur për 1.462 denarë vetëm për ushqim dhe pije. Edhe më e lartë është kostoja ose 74.373 denarë nëse në këto shpenzime vihet qiraja e një banese prej 60m2. Svetllana Dimoski, nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë tha se nga dhjetori deri në mars shpenzimet vetëm për ushqim dhe pije janë rritur gati 2 mijë denarë, përkatësisht 9,4% rritje nga shporta e konsumit. Sipas saj kjo rritje atribuohet pas heqjes së çmimeve të garantuara, të cilat u zgjidhën duart tregtarëve për të rritur sërish çmimet.

“Vlera e shportës minimale sindikale është në rritje të vazhdueshme gjatë këtij viti, konkretisht në mars 2024 ku rritja është më e theksuar te ushqimet dhe pijet. Sipas nesh, ky është rezultat që tregtarët nuk i dëgjuan rekomandimet e LSM-së dhe u bazuan vetëm në interesat e rritjes së profitit të tyre, duke i rritur në mënyrë enorme çmimet e produkteve ushqimore që rezulton me praktikat jo korrekte të tregtarëve, gjë e cila sjell varfërimin e punëtorëve dhe të qytetarëve”, tha Svetllana Dimoski, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

Rritja e çmimeve, thonë nga Sindikata, po ashtu kontribuon në humbjen e fuqisë blerëse të punëtorëve dhe qytetarëve. Prandaj, me rritjen e re të pagës minimale nga marsi 2024, e cila sipas llogaritjeve do të jetë rreth 22.567,00 denarë, nuk do të ketë efekt pozitiv në standardin e jetesës së qytetarëve në vend. Lidhja e Sindikatave propozoi vazhdimin e masave për çmimet e garantuara deri në mesin e shatorit, datë e cila përkon me nisjen e plotë të zbatimit të Ligjit për ndalimin e tregtisë jo korrekte, në mënyrë që punëtorët dhe qytetarët të jenë të mbrojtur nga shtrenjtime e shumta të gjërave elementare ushqimore. /Alsat.mk