Maqedoni

Xhaferi: Qytetarët të votojnë në zgjedhje pa marrë parasysh afatin e dokumenteve

Shpërndaje

Kryeministri teknik Talat Xhaferi konsideron se ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk do ta zgjidhin plotësisht problemin me vlefshmërinë e dokumenteve të qytetarëve në procesin zgjedhor dhe thekson se qytetarët duhet të lejohen të votojnë me dokumente të vjetra pa afat.

“Nuk jam i bindur që problemi me dokumentet e udhëtimit do të zgjidhet në funksion të dispozitave të rregulluara dhe të sanksionuara nga vetë ligji, ai parashikon që të gjithë qytetarët që kanë dokumente që kanë skaduar brenda nëntë muajve deri në ditën e zgjedhjeve do të mund të votojnë”.

“Ata që kanë dokumente më të vjetra nuk do të munden, ndaj zgjidhja është e pjesshme, jo e plotë. Nëse kemi dokumente me afat nëntë muajsh në 24 prill, do të votojnë, por më 8 maj çfarë do bëjmë. Duke dashur të bëjmë përjashtim, bëjmë një tjetër përjashtim që përjashton një pjesë të qytetarëve”, theksoi sot Xhaferi.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në konferencën për media pas inspektimit të ndërtimit të autostradës Rankovcë – Kriva Pallankë, ai tha se qytetarët duhet të votojnë me dokumente të vjetra, pavarësisht se në çfarë afati ka skaduar.

“Vendimi që të jetë i hapur që qytetarët që kanë dokumente të skaduara të votojnë këtë vit pa marrë parasysh afatin, nuk mendoj se është zgjidhje e plotë, jam i bindur se do të kthehen në Qeveri për zgjidhje shtesë. Ose Kuvendi do të duhet të mendojë ose ne në Qeveri duhet ta korrigjojmë këtë problem”, nënvizoi ai.