Zgjerohet Fronti Europian, BDI-së i bashkohet edhe Lëvizja e Turqëve
Edhe një parti tjetër turke ju bashkua Frontit Europian. Bëhet fjalë për Lëvizjen e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci.
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot nënshkroi marrëveshje koalicioni me përfaqësuesit e kësaj partie, Salih Murat dhe Syleyman Baki.
Në fjalimin e tij, Murat tha se po i bashkëngjiten Frontit me qëllim për ta ndryshuar gjendjen në çdo sferë të shoqërisë veçanërisht gjendjen e komunitetit turk në Maqedoni, duke përmbushur normat e të drejtave të njeriut të parapara në Kushtetutë. Paraprakisht, kreu i integristëve ka firmosur marrëveshje koalicioni edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Turke, Bejxhan Iljaz.
Dje një marrëveshje e njëjtë u firmos edhe me Unionin e Romëve, ndërsa më herët marrëveshje për Front Europian, Ahmeti lidhi edhe me Lëvizjen Popullit të Skender Rexhepit, me PDSH-në e Menduh Thaçit dhe me PDE-në e Arjanit Hoxhës. Pritet që një koalicion i këtillë të lidhet edhe me njërën prej partive boshnjake. Të shtunën është paralajmëruar që në Gostivar të nënshkruhet marrëveshja e koalicionit mes Ahmetit dhe Ziadin Selës nga Aleanca për Shqiptarët.
VIDEO nga nënshkrimi i marrëveshjes së koalicionit për Frontin Europian, mes BDI dhe Lëvizjes së Turqëve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, z. Salih Murat dhe Prof.Dr. Süleyman Baki.