Bota

BE dënon vrasjen e punonjësve të ndihmës humanitare në sulmin izraelit në Gaza

Shpërndaje

Bashkimi Evropian (BE) dënoi vrasjen e punonjësve të organizatës ndërkombëtare, World Central Kitchen (WCK) me seli në SHBA, në sulmin e Izraelit në Gaza, transmeton Anadolu.

Përfaqësuesi i Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe Komisari i BE-së për Menaxhimin e Krizave dhe Ndihmën Humanitare, Janez Lenarcic reaguan përmes platformës sociale X lidhur me vrasjen e punonjësve të ndihmës humanitare në sulmin izraelit.

“Dënoj sulmin dhe bëj thirrje për hetim” ka theksuar Borrell duke vlerësuar: “Pavarësisht të gjitha kërkesave për mbrojtjen e civilëve dhe punonjësve të ndihmës humanitare, shohim humbje të reja të pafajshme”.

“Dënoj edhe një sulm tjetër ndaj punonjësve të ndihmës humanitare në Gaza. Kjo tashmë duhet të ndalet. Armëpushim tani”, tha Lenarcic nga ana tjetër.

– Humbën jetën 7 punonjës të ndihmës humanitare

Organizata ndërkombëtare e ndihmës me seli në SHBA, WCK njoftoi se 7 punonjës të saj vdiqën në sulmin e djeshëm izraelit në Gaza.

“Kjo është tragjedi. Punonjësit e ndihmës humanitare dhe civilët nuk duhet kurrë të shënjestrohen”, tha në një deklaratë WCK-ja.

“Ushtria po zhvillon hetim gjithëpërfshirës në nivelin më të lartë për të kuptuar kushtet e kësaj ngjarjeje tragjike”, tha ushtria izraelite lidhur me sulmin.