​Eurodeputetët thirrje pesëshes së BE-së: Njihni Kosovën!

Shpërndaje

Gjatë seancës së Parlamentit Evropian ku u diskutua për raportin për Kosovën për vitin 2022, disa eurodeputetë kanë bërë thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende Kosovën, të njohin pavarësinë e saj.

Sipas tyre, Spanja, Qipro, Rumania, Greqia dhe Sllovakia duke refuzuar njohjen për arsye të brendshme po e inkurajojnë Serbinë në përpjekjet për destabilizim si dhe një konflikt të mundshëm në rajon.

Gjatë seancës së Parlamentit Evropian ku u diskutua për raportin për Kosovën për vitin 2022, disa eurodeputetë kanë bërë thirrje pesë vendeve mosnjohëse të Bashkimit Evropian që të njohin pavarësinë e Kosovës. Sipas tyre, Spanja, Qipro, Rumania, Greqia dhe Sllovakia duke refuzuar njohjen për arsye të brendshme po e inkurajojnë Serbinë në përpjekjet për destabilizim si dhe një konflikt të mundshëm në rajon.

Deputeti austriak Thomas Waitz u ndal edhe te marrëveshjet e fundit që janë refuzuar të nënshkruhen nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Ai deklaroi se një marrëveshje e panënshkruar është një marrëveshje e pasuksesshme.

Waitz: Vendet mosnjohëse duan ta njohin shtetin e Kosovës

“Një marrëveshje që nuk është nënshkruar nuk është as një marrëveshje e suksesshme dhe as e detyrueshme. Presidenti Vuçiq refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit dhe si reagim ndaj kësaj refuzoi ta nënshkruajë edhe kryeministri Kurti, dhe tashmë e shohim rezistencën dhe bllokimin e Serbisë kur është fjala për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Por dua gjithashtu të mbështes thirrjen e këtij raporti ndaj shteteve mos njohëse brenda Bashkimit Evropian, ndaj Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Qipros, Maltës dhe Greqisë. Kosova është shtet i pavarur prej më shumë se 10 vitesh. Refuzimi juaj për të njohur bazohet vetëm në çështjet e brendshme. Kështu që unë ju bëj qartë thirrje që të mos e mbani bllokimin tuaj, ju vetëm po e inkurajoni Serbinë dhe rrjedhën e saj të konfliktit. Dhe nëse kjo nuk është ajo që dëshironi, më në fund njiheni Kosovën si shtet të pavarur që është”, deklaroi ai.

Deputeti spanjoll me prejardhje nga Katalonia, Carles Puigdemont, deklaroi se Spanja nuk e njeh Kosovën jo për arsye që lidhen me vet shtetin kosovar por për shkak të Katalonisë. Sipas tij, më e vështirë do të bëhet kur Spanja të marr drejtimin e Këshillit të BE-së.

Puigdemont: Spanja nuk e njeh Kosovën për shkak të Katalonjës

“E ardhmja e Kosovës është njohja ndërkombëtare dhe Evropa. Përpjekjet që po bëhen nga shoqëria dhe institucionet e Kosovës meritojnë më shumë nga të dyja; më shumë njohje ndërkombëtare dhe më shumë Evropë. Fatkeqësisht, ka ende vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën, disa prej tyre siç është Spanja nuk e njeh për arsye që nuk kanë të bëjnë me Kosovën, por me Katalonjën, ata nuk duan të njohin ligjshmërinë e një deklarate të njëanshme të Pavarësisë. Kjo është arsyeja pse Spanja është i vetmi vend në zonën Shengen që nuk do të zbatojë heqjen e vizave të miratuar nga BE. Së shpejti do të kemi një presidencë të Këshillit të BE-së që do të duhet të mbrojë një politikë për Kosovën, të cilën presidenti nuk e zbaton për veten e tij”, tha ai.

Ndërsa eurodeputeti nga Kroacia, Ladislav Iliçiç, kërkoi nga Bashkimi Evropian që të mos e ledhatojë Serbinë pasi shteti serb ende ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Ai u shpreh se Serbia vazhdon të shkaktojë destabilitet, ndërsa Kosova është shtet i pavarur që ka nevojë dhe meriton të gjithë mbështetjen e Bashkimi Evropian.

Iliçiç: Serbia vazhdon të shkaktojë destabilitet

“Pavarësisht se e humbi luftën, Serbia ende dëshiron territorin e Kosovës, dhe ende dëshiron t’i mbajë në minimum të drejtat e shqiptarëve. Dhe në vend që të përpiqet të ketë bashkëjetesë paqësore në veri, Serbia vazhdon të shkaktojë destabilitet, Kosova është shtet i pavarur, është në pozitë të vështirë dhe meriton të gjithë mbështetjen tonë. Fatkeqësisht, disa eurodeputetë preferojnë një agjendë ideologjike. Pra, për t’i thënë Kosovës nëse doni të anëtarësoheni në BE legalizoni martesat e të njëjtës gjini, dhe zbatoni Konventën e Stambollit. Tani absurdi më i madh është kur për shembull socialistët spanjollë e kërkojnë këtë nga Kosova, ku ata po formojnë qeverinë spanjolle, e cila nuk dëshiron ta njohë Kosovën. Tani duhet të pyesim veten, si mund t’i parashtroni kërkesat përpara një qeverie që besoni se nuk ka legjitimitet? Bashkimi Evropian në rastin e Kosovës duhet të tregojë një besueshmëri më të madhe dhe të ndalojë së kënaquri Serbinë. Kosova duhet të njihet nga të gjitha shtetet anëtare, dhe institucionet evropiane duhet të ndalojnë ndërhyrjen në çështjet jashtë juridiksionit të tyre”, deklaroi Iliçiç.

Gjatë seancës për raportin e Kosovës për vitin e kaluar foli edhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon si dhe Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi./KosovaPress